Basha: Vettingu i politikanëve i mbyll derën tranzicionit, çdo alibi nxjerr në pah qëllimin e llumit. Ne e refuzojmë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje të posaccme për mediat sqaroi amendamentet e selisë blu sa i përket ndryshimeve në Kushtetutë, duke u ndalur veçanërisht tek nisma për vettingun në politikë.

Ai deklaroi se përmes saj do të dalin jashtë skenës politike një numër shumë i lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të lartë të shtetit.

Basha u shpreh se pastrimi nga njerëzit e fundit të tranzicionit është domosdoshmëri dhe nuk mund ta mbajë peng Shqipërinë.

I pyetur nëse do të dorëhiqej pas Foltoreve të Sali Berishës, Basha u shpreh me vetësiguri të plotë se:

“Sipas sondazheve të mia 95% e demokratëve kërkojnë që unë të udhëheq betejën kundër regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe mbështesin axhendën e prezantuar nga unë për të pastruar llumin në politikë".

Ndërkohë situata e brendshme në PD vazhdon të jete tejet e tensionuar sidomos në këto ditë të fundit të foltoreve të liderit historik të demokratëve, i cili pritet të thërrasë edhe Kuvendin Kombëtarëpër shkarkimin e kreut aktual Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës me gazetarët

Basha: Propozimi i tretë dhe më i detajuari ka të bëjë me vettingun e politikanëve. Rastësisht pashë dje dhe sot në mëngjes pashë disa tituj në mediaj që thonë rikthehet vettingu i politikanëve. Kjo është pjesërisht e vërtetë, me të vërtetë ideja, koncepti i 2018 për të pastruar parlamentin dhe politikën nga politikanë të lidhur me krimin e organizuar, politikanë që nuk justifikojnë pasuritë. Ky objektiv ka qenë i 2018 është dhe sot. Ka një ndryshim themelor që vjen përmes këtij dokumenti, opioni i Venecias për kërkesën e PD në vjeshtën e 2018 për të mundësuar vettingun e politikanëve.

Opinioni konstaton se në kushtet ku ndodhej Shqipëria në 2018 jo më tani e ka të domosdoshme të ndërmarrë një hap për të pastruar politikën nga influenca e krimit të organizuar që shkon deri në praninë e njerëzve të krimit të organizuar në politikë. Venecia ka thënë se qëllimni për të cilin kërkohen këto ndryshime është legjitim por ka kërkuar që një proces i tillë të bëhet në kushtet e proporcionalitetit, qartësisë ligjore dhe garantimi të drejtave dhe lirive të njeriut që mos të kthehet në "gjueti shtrigash". Një nga pyetjet që ne nuk i jemi përgjigjur dot në 2018 kush do ta bëjë vettingun e politikës ka marrë përgjigje në propozimin kushtetues, që i kalon këtë detyrë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, nga prokuroria të gjykatat.

Kjo ka për qëllim largimin e politikanëve që janë pjesë e krimit të organizuar ose përfaqësues të tij në çdo nivel. Procesi i kontrollit të deklarimit të pasurisë ka qenë në kritikë të vazhueshme për shkak të presionit politik mbi ILDKPKI. Raporti i atyre që kanë provuar forcën e ligjit në këtë aspekt është shumë modest. Kemi fakte konkrete që ne kemi denoncuar, media i ka publikuar të pasurive marramendëse të politikanëve shqiptarë në emër të tyre, familjarëve të tyre apo ortakëve të tyre. Kemi dhe akuza në dy drejtimet.Akuzat e paprovuara shërbejnë vetëm për të mbuluar këtë llum korrupsioni ku është zhytur një pjesë e politikës duke vjedhur paratë dhe pronat e shqiptarëve, private dhe publike. Është momenti të ndahet shapi nga sheqeri, me instrumentat dhe praktikën e njohur të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve struktura e posaçme antikorrupsion  të marrë si fillim këta 200 e ca politikanë të lartë, deputetë, krerë bashkish, kreu i shtetit, kryeministri, kryetari i kuvendit, kryetarët e institucioneve të pavarura dhe ti fusë në sitën e kontrollit të hollësishëm për lidhjet e mundshme me krimin e organizuar ashtu për pasuritë e tyre, familjarëve dhe ortakëve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ligji Antimafia ekziston, kërkohet vullneti politik.

Edhe nëse masakra e 25 prillit nuk do kishte ndodhur dhe PD do të ishte në qeverisje nuk kam dyshim se do kishim 94 votat e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën . Edhe po ti kishim unë gjykoj se ndryshime të tilla kushtetuese duhet patjetër të kenë konsensus bipartizan. Nuk mund të shikohen si masa propagande apo represive ndaj njërës anë apo anës tjetër. Është interesi i gjithë shqiptarëve që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit. Nga njerëz që këto 30 vjet kanë përdorur politikën për tu pasuruar paligjshmërisht dhe kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar, kanë shkatërruar konkurrencën në treg duke fuqizuar një grusht njerëzish me të cilën ndajnë favore dhe para. Kush e shikon si ekspeditë ndëshkimore të PD ndaj krimit të organizuar, oligarkëve dhe shefit të tyre politik dhe qeverisë së tij e ka gabim.Padiskutim e meritojnë por ne jemi opozita e vendit, zëri dhe aspirata e qytetarëve që duan një Shqipëri më të mirë.

Duke pranuar këtë propozime kushteteuse bashkarisht i mbyllim derën tranzicionit, kushdo që meriton që përmes këtyre masave të largohet nga politika duhet të largohet pavarësisht nëse është demokrat apo socialist. Çdo alibi vetëm sa nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për të mbajtur Shqipërinë peng të një klase politike të ndryshkur, majmur, zvetnuar dhe të shkëputur nga realiteti i përditshëm. Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj klase politike.Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë nga misioni i ndryshimit, do bëhet me çdo kosto. Çdo politikan që nuk justifikon dot pasurinë e vet, familjes së vet, madje dhe të ortakëve, personave që njihen botërisht që administrojnë pronat dhe pasuritë e tyre duhet të largohen nga poliktika. Çdo politikan i lidhur me krimin e organizuar, nëse është vetë pjesë apo ka përdorur dhe përdor strukturë kriminale për të mbledhur vota dhe shantazhuar qytetarët duhet të largohet.

A ka sfida të tjera Shqipëria? Padiskutim që ka. A kam hequr unë dorë nga projekti për  Republikë me pushtete të balancuara? Jo. Një reformë edhe më e thellë kushtetuese është domosdoshmëri.Të bëjmë gati një reformë të thellë kushtetuese por urgjencat janë këto. Kemi republikë të rënë dhe demokraci të vrarë me 25 prill.