PD: Zgjatja e mandatit të vetingut nuk është prioritet,nuk ka asnjë ngërç kushtetues
PD nuk mendon se zgjatja e mandatit të organeve të vetingut është një ndër prioritetet e procesit të integremit.
Në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Sekretari i Përgithshëm i PD kujtoi se ka qenë maxhoranca që shkurtoi financat dhe burimet njerëzore këtyre organeve pasi qeverisë i interesonte një sistem drejtësie i destabilizuar.
“Unë nuk bie dakord që të anashkalohen prioritetet e procesit të integrimit në raport me reformën në drejtësi dhe të konsiderohen prioritet çështje që nuk kanë interes për procesin e integrimit, siå është zgjatja e mandatit të 14 individëve në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit apo organeve me vetingut. Nuk është prioritet, sepse nuk ka asnjë ngërç kushtetues në atë drejtim. Kushtetuta ka dhënë zgjidhje.
Nëse do të kthehemi në kohë dua t’u kujtoj kolegëve të maxhorancës se në 2018-ën ishin ata që shkurtuan gjysëm për gjysëm stafin mbështetës të organeve të vetingut. Në atë kohë opozita ngriti zërin dhe kërkpi që organet e vetingut të ishin të pajisura me staf, financa dhe burime të mjaftueshme njerëzore. Kryeministri tha atëherë “duke parë, duke bërë” dhe kërkesa e organeve të vetingut për staf dhe mbështetje nuk u mor në konsideratë. Numri i këshilltarëve u përgjysmua, duke vështirësuar dhe duke vonuar ecurinë e procesit të integrimit.
Nuk ka një aleat me të mirë për një qeverisje të korruptuar sesa një sistem drejtësie i destabilizuar, siç është sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri. Destabiliteti i sistemit të drejtësisë ka sjellë pasoja të rënda për vendin, pasi nga një problematikë për korrupsionin dhe krimin e organizuar, kemi kaluar në nivelin e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.”
