Nga Shqipëria kontrollonte trafikun e drogës në Norvegji. Në kërkim ndërkombëtar, arrestohet një grua
Nga Shqipëria një shtetas shqiptar akuzohet se kishte arritur të krijonte grupin e tij dhe të kontrollonte trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës në Norvegji.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicalet F.P i cili nga sot është shpallur në kërkim ndërkombëtar ndërsa është arrestuar një grua.
Nga hetimet e kryera u grumbulluan të dhëna se:
Shtetasi shqiptar F.P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marihuana) në Norvegji, sasi këto që shiteshin nga përfaqësuesit e tij në këtë shtet.
I hetuari F. P. ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe mariuhana) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash" informon SPAK.
Hetimet nisen ne dhjetor 2019
Në dhjetor 2019 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërsa më 16 tetor 2021 me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues të “arrest në burg”, për F.P.
Akuzat
Dyshohet për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/1, 283/a/1, 287/1/2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Arrestohet një grua
Sot (20 tetor 2021) policia ka ekzekutuar arrestimin e shtetases A. A., ndërsa është proceduar me nxjerrjen e një urdhër kërkimi ndërkombëtar për shtetasin F.P.
Ndërkohë edhe autoritetet gjyqësore norvegjeze kanë proceduar me ekzekutimin e masave të sigurimit dhe ushtrimin e kontrolleve në territorin e tyre.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, policia ka realizuar kontrollin e disa banesave dhe kontrollin personal të disa shtetasve në qytetet Tiranë dhe Lezhë.
"Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin" informoi sot SPAK.
Ata nuk jane vetem
Mësohet se dhe autoritetet Gjyqësore Norvegjeze kanë caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj disa personave të cilët dyshohen se janë pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe hetimin financiar për të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.