Aksidenti i shqiptarit në Itali, nëna letër të hapur medieve fqinje: E gjeta të vdekur, nuk pata të drejtë as ta shoh
Nëntë vite pas aksidentit në punë ku humbi jetën një emigrant shqiptar në Itali, nëna e tij vazhdon të kërkojë drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes.
Shtetasja shqiptare Lena Dodaj prej vitesh proteston para dyerve të gjykatës ku pret rihapjen e hetimeve e gjetjen e përgjegjësve kryesorë për vdekjen e djalit të saj.
Së fundi ajo është shfaqur me një pankartë që mban historinë e fotografitë e djalit para shkallëve të Gjykatës së Ternit ku apelon median italiane dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Peruxhias ta ndihmoj në zbardhjen e së vërtetës.
Me anë të një letre të hapur Lena Dodaj i bën apel medieve italiane për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për vdekjen tragjike të djalit të saj Mariglen Dodaj 25 vjec i cili më 18 nëntor 2011, humb jetën në punë pasi u rrëzua nga çatia e një kompani ku po punonte në Narni Scalo. Pak më vonë emigrant ndërroi jetë në spitalin e Ternit.
Nëna e 25 vjeçari akuzon autoritetet se nuk I dhanë ndihmë djali të aksidentuar.
"Djali im është vrarë. E gjeta të vdekur, të zhveshur e të shtrirë në dyshemenë një magazinë të Urgjencës e askush nuk mundi të më shpjegoj pse. Nuk pata të drejtë as ta shoh. Magjistrati sekuestroi trupin për ditë të tëra e nuk autorizoi autopsinë. Nuk na lejoi të shohim as vendin ku ndodhi aksidenti", shkruan në letër Lena Dodaj.
Sipas saj djali ishte viktimë e mjekësisë që e la të vdiste, pasi prindërit nuk u lejuan t'i japin përshëndetjen e fundit dhe e vetmja e drejtë që iu dha familjes ishte ta varrosnin. Nëna e 25-vjeçarit bën akuza edhe ndaj drejtësisë e cila nuk i dëgjoi kurrë të afërmit e viktimës.



