Covid-19 në Itali, 81% e popullsisë e vaksinuar plotësisht

Kryeministri italian Mario Draghi , duke folur në Senatin e Romës, iu referua rrjedhës së fushatës së vaksinimit në vendin e tij, por edhe në Evropë në tërësi.

"Pas një seri pengesash, fushata e vaksinimit në Evropë ka arritur rezultate shumë të mira," tha ai.

"Në Itali , fushata po ecën më shpejt se mesatarja e Bashkimit Evropian, deri më tani  doza e parë i është dhënë 86% të banorëve mbi 12 vjeç, ndërsa 81%  e popullsisë i kanë bërë të dyja dozat ”.

Draghi falënderoi të gjithë qytetarët që vendosën të vaksinohen  "dhe veçanërisht të rinjtë dhe të gjithë ata që zgjodhën të vijnë në qendrat e vaksinimit javët e mëparshme, duke kapërcyer hezitimet e tyre".

Kryeministri italian tha gjithashtu se në katër muajt e fundit vendi i tij ka vaksinuar 50% të popullsisë mbi moshën 12 vjeç, " kryesisht falë mjekëve dhe infermierëve".

Së fundmi, Mario Draghi theksoi se Bashkimi Evropian duhet të sigurojë më shumë vaksina për vendet më të varfra në botë, sepse "vetëm 2.8 % e njerëzve në vendet në zhvillim kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa mesatarja globale është 50 %".