Lirohen nga burgu e vriten në atentate, 12 raste brenda 2021, 8 pa autor
Lirimi para kohe ose në mënyrë abuzive i personave të dënuar për vepra të rënda penale është shoqëruar shpesh me ekzekutimin e këtyre personave pas daljes në liri. Nga janari deri në tetorin e këtij viti sipas statistikave të policisë janë vrarë 12 persona të liruar nga burgjet, ndërkohë që tetë nga këto ngjarje kanë mbetur pa autor.
Vrasja e personave të dënuar të cilët lirohen nga burgjet para kohe ose në mënyrë abuzive është kthyer në një fenomen shqetësues për rendin dhe sigurinë në vend.
Në 10 muajt e këtij viti, nga janari deri në tetor, në Shqipëri janë regjistruar 12 vrasje mafioze ku shënjestër ishin personat të cilët më herët kanë qënë të burgosur për vepra të ndryshme penale.
Tetë prej këtyre ngjarjeve vijojnë të jenë pa autor edhe pse viktimat kanë një background të pasur kriminal.
Vrasjet më të bujshme të ndodhura janë ajo e Edmir Bregut, i cili u ekzekutua më 24 janar në qytetin e Durrësit. 32-vjeçari me origjinë nga Hasi më herët ka qenë i dënuar për moskallëzim krimi dhe kanosje.Kjo ngjarje ende është e pa zbardhur.

Gentian Qarri po lëvizte në lagjen "28 Nëntori" në Vlorë, kur persona të pa identifikuar e qëlluan atë për vdekje. Ai ka bërë 11 vite burg në Itali për trafikim narkotikësh, ndërkohë që në Vlorë punonte si teknik kondicionerësh. E shkuara e tij kriminale, është pista kryesore por ende nuk është zbardhur.

Edmond Koçi i njohur për policinë për shumë vepra penale, por që në fund ai u dënua vetëm për armbajtje pa leje, u ekzekutua në qytetin e Durrësit. Shumë pista dolën në dritë por nga policia asgjë konkrete.

Bardhok Pllanaj, i cili ishte subjekt i OFL, i dënuar më herët për trafikim të lëndëve narkotike por që më pas dënimin e kreu në shtëpi pasi ishte me probleme në zemër. Ai u ekzekutua pa mëshirë ndërsa policia nuk po arrin tek autorët.

Lulzim Bitri, i cili u ekzekutua në armë zjarri në qytetin Elbasanit, rezulton i dënuar më herët për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armë shpërthyese dhe municionit.

Nën shoqërinë e Bitrit ishte edhe Ardian Çollaku, të cilin Gjykata e Modenas e kishte dënuar me 23 vjet e 3 muaj e 17 ditë burgim për veprat penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit", por që ai lëvizte i qetë në vendin tonë.

Alban Semaku, emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë pjesë bandës së Aldo Bares në Lushnje u gjet i vdekur në Peqin. 38-vjeçari ka dalë nga burgu në maj të këtij viti.


