Progres-raporti, Balla: Rikthimi në shinat e vlerësimit teknik të KE, zgjidhja më e mirë për zgjerimin
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE për negociatat brenda Krishtlindjeve është thelbësore për procesin e integrimit.
Balla: Sfidë është konsolidimi i progresit të arritur dhe miratimi i kornizës negociuese të vendeve anëtare të BE dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare brenda Krishtlindjeve do të ishte një shtysë thelbësore në këtë moment që ndodhet procesi i anëtarësimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur në Këshillin e Integrimit rreth progres-raportit të KE për 2021, Balla tha se Shqipëria përkundër sfidave të pandemisë ka vijuar me reformat dhe bëri thirrje edhe njëherë për zgjatjen e mandatit të Komisioneve të vettingut.
Balla: Nuk duhet të harrojmë sfidat e Covid, pasojat e të cilit vijojë ti vuajmë. Pavarësisht kësaj, rezulatet janë të dukshme dhe vullneti i kësaj mazhorancë mbetet i palëkundur në procesin e integrimit për faktin se nuk jemi ne, as opozita, por qytetarët shqiptarë që janë shumicë e madhe mbështetëse e këtij procesi. Dëshmi e vendosmërisë është dhe vullneti ynë për të vijuar me progresin në fushën e sundimit të ligjit. Mazhoranca do vazhdojë të mbështesë sugjerimin e ekspertëve për të zgjatur afatet e komisionieve të vettingut dhe mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën në Kuvend. Raporti vjen pas zgjedhjeve që ishin të lira dhe demokratike.
Balla nuk shmangu dhe komentet politike sa i takon Unionit, duke nënvizuar se rikthimi në shinat e vlerësimit teknik të Komisionit mbetet zgjidhja më e mirë për rivitalizimin e procesit të zgjerimit.
Balla: Ajo që dua të komentoj në një këndvështrim politik është një fakt shqetësues që ka çuar procesin e zgjerimit pas. Prej anëtarësimit të Kroacisë në 2013 përpos vlerësimeve teknike të Komisionit është shtuar dhe një vlerësim subjektiv i hartuar nga disa vende anëtare të BE që do ti quaja thjesht interesa politike apo kalkulime elektorale të momentit. Kjo nuk është çështje që mund ta zgjidhim ne në Shqipëri apo ne në Ballkanin Perëndimor por kërkon një adresim në qendër të vendimmarrjes së BE. Kjo mund të ngadalësojë efektin transformues dhe Unioni mund të mos jetë e vetmja busull orientimi. Rikthimi në shinat e vlerësimit teknik të Komisionit mbetet zgjidhja më e mirë për rivitalizimin e procesit të zgjerimit.
