Tabaku: Integrimi nuk është formular! Opozita është përpjekur të vërë në provë SPAK por pa rezultat, gjithmonë i vonuar

Progres-raporti i KE-së për Shqipërinë iu dorëzua zyrtarisht dhe Këshillit të Integrimit. Jorida Tabaku, në cilësinë edhe të kryetares, deklaroi se e sheh me shqetësim që progresi i integrimit nuk është në prioritetet kryesore të qeverisë.

Teksa evidentoi gjetjet e raportit, Tabaku tha se reforma në drejtësi nuk po gjen zbatim.

Opozita, nënvizoi deputetja demokratike, por edhe ajo vetë personalisht janë përpjekur të vënë në provë SPAK por pa rezultat.

Tabaku: Integrimi nuk është lart në prioritetet e kësaj qeverie, në raport ka shqetësime që lidhen me zgjedhjet, pandëshkueshmëria, liria e mediave është shqetësim real për demokracinë. Shumë nga ne këtu miratuam 5 vite më parë reformën me drejtësi me qëllimin më të mirë por fatkeqësisht qëllimi më i mirë nuk është materializuar akoma në rezultate konkrete. Zbatimi i saj për ne akoma ka problematika dhe më vjen mirë që edhe progresraporti e njihte ndërhyrjen në proceset e drejtësisë, veçarisht të vettingut si brenda dhe jashtë politikës. Korrupsioni thotë raporti është i përhapur në të gjitha nivelet e jetës publike, opozita dhe unë vetë jemi përpjekur shumë të vendosur SPAK në provë dhe unë akoma nuk kam parë asnjë rezultat.

Ka qenë vonë SPAK-u, gjithmonë pas dhe jo atëherë kur duhet. Shpresoj shumë që të nxitojë, të kapë ritmin dhe të ngrihet në lartësinë e detyrës. Problemi i pastrimit të parave që ka qenë ëndërr e keqe për shqiptarët, për 6 vite me radhë është rikthyer dhe ëhstë një shqetësim. Progres-raporti njeh shqetësime  sa i përket konkurrencës në treg, tenderave pa garë, shqetësime që duhet të marrim masa reale. Shqipëria sot ka korrupsion në nivelin e kapjes së shtetit, është problematike situata me lirinë e medias, kur më tepër kemi akoma në kalendarin e parlamentit paketën Antishpifje për të cilën duhet të kishim rënë gjithë dakord para se të shfaqej atje.

Tabaku nënvizoi se procesi i integrimit nuk është një formular, teksa i tërhoqi vëmendjen qeverisë që ta shohë problemin te vetja dhe të mos sajojë armiq ku nuk ka të tillë.

Tabaku: Procesi i integrimit nuk është një formular as një listë ku duhen plotësuar disa kërkesa për të përmirësuar radhën. Duhet ta konsiderojmë një proces për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk mund të luftojmë me mullinjtë e erës dhe të shohim armiq ku nuk janë. Europa, KE, delegacioni janë mbështetës dhe e kanë treguar në këtë proces. Dua të jem shumë e kujdesshme me deklaratat që bëhen kundër KE dhe vendeve anëtare të cilat nesër mund të cënojnë dëshirën e shqiptarëve, nuk  mund ta konsiderojmë Europën armik. Nuk dua të vijë nga politika, aq më pak nga qeveria. Kemi pak progres. Duhet ta konsiderojmë progres-raportin  dhe metodologjinë e re si një plan pune.