"Terror” në shtëpinë e noterit në Sarandë, maskat i lidhën gruan e djalin dhe morën 2 mln lekë
Një noter 63-vjeçar në Sarandë denoncoi këtë të mërkurë se persona të maskuar dhe armatosur i hynë në banesë dhe duke e kërcënuar me jetën e gruas dhe djalit i morën një sasi parash. Sipas dëshmisë së Thoma Kaçit, autorët i lidhën në karrige dhe u bënë presione me armë derisa morën një shumë që sipas burimeve shkon në 20 mln lekë të vjetra. Policia e Sarandës po heton pretendimet, ndërsa ende nuk ka asnjë të dyshuar si autor.
Ishte ora 07:40 minuta e së mërkurës, kur noteri Thoma Kaçi bashkë me gruan dhe djalin po dilnin nga banesa në katin e 7 të pallatit ku jetojnë në lagjen 4 të Sarandës.
Grabitësit po i prisnin një kat më lart dhe kur kanë dëgjuar lëvizjet janë hedhur në aksion.
Të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov dhe thika ata i kanë detyruar të tre të futen në apartament.
Brenda i kanë lidhur në karrige dhe duke i kërcënuar kanë detyruar noterin 63- vjeçar të tregojë vendin ku mbante paratë.
Thoma Kaçi është dorëzuar dhe u ka dhënë një shumë parash që sipas burime shkon në rreth 2 milion lekë dhe grabitësit janë larguar.
Rreth orës 08 10, 63-vjeçari Thoma Kaçi ka arritur të zgjidhet vetë dhe ka denoncuar në policinë e Sarandës se maskat i hynë në shtëpi dhe e grabitën.
Blutë e qytetit bregdetar ushtruan kontrolle në kërkim të autorëve, por veprimet e para nuk patën rezultat.
Tre anëtarët e familjes u morën në pyetje, ndërsa ekspertët kriminalistë mblodhën prova brenda banesës dhe në pallatin ku ndodhi ngjarja për të verifikuar variantin e grabitjes dhënë nga 63-vjeçari.
Dyshimet janë se grabitësit kishin informacion se Thoma Kaçi kishte në banesë shuma të mëdha parash dhe kjo mund të lidhet edhe me veprimtarinë e tij si noter.



