Tjetërsoi pronat e shtetit, ish-kreu i Kadastrës Vlorë mbetet në qeli
Gjykata vendosi të mbajë në burg ish-kreun e Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, i arrestuar me dyshimin se qëndronte në krye të një skemë të tjetërsimit të pronave shtet në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut. Ish-kryeregjistruesi bashkëpunonte për vjedhjen e pronave me kreun e menaxhimit të tokës në Vlorë.
Ish-drejtori i Kadastrës Vlorë, Klodian Troci, do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimit se ish- kryeregjistruesi kishte ngritur një skemë të tjetërsimit të pronave shtet në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiu.
Gjykatësi, Enkel Peza, me kërkesë të prokurorit Alfred Sali la në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" me të cilën Troci u vu në pranga më 17 Tetor.
Ish-drejtori i Kadastrës akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve” me pasojë tjetërsim të pronave në bregdet.
Njëkohësisht ai dyshohet si një ndër organizatorët kryesorë të grabitjes së dosjeve të pronave në Zyrat e Këshillit të Qarkut Vlorë, më 13 tetor.
Ky veprim, zbuloi edhe skandalin e abuzimit dhe tjetërsimit të tokave gjatë viteve 2019-2021, skemë e ngritur mes drejtuesve të Kadastrës dhe Drejtorisë së Menaxhimit të Tokave në Vlorë dhe e bazuar në dokumente zyrtare.
Sipas hetimit, ish-kryeregjistruesi zotëronte AMTP të vulosura dhe firmosura të cilat plotësoheshin në mënyrë abusive me të dhëna të tokave shtet, kryesisht në bregdet.
AMPT-ja regjistrohehej në Zyrën e Menaxhimit të Tokës në Këshillin e Qarkut Vlorë, nga Bardhyl Gjikaj, po ashtu i arrestuar dhe më pas prona regjistohen në Kadastër.
Me këtë skemë mësohet se janë kryer disa tjetërsime me vlerë deri në 5 milion euro.
Gjatë aksionit të arrestimit, policia gjeti në banesën e ish-kryeregjistruesit 50 AMTP të firmosura dhe 65 mijë euro, ndërsa në banesën e ish-drejtorit të Administrimit të Tokës në Vlorë Bardhyl Gjikaj, i cili po ashtu ndodhet në qeli u gjetën edhe 60 dokumente të tjera.
Të dielën për të njëjtën çështje, Gjykata e Vlorës la në burg dhe 51-vjeçarin Spiro Duni, i dyshuar se ka përfituar në abuzim një truall në Dhërmi.
Ndërsa një specialist i Zyrës së Administrimit të Tokës në Vlorë do të hetohet në gjendje të lirë.

