Me 1 dozë vaksine nuk hyn në Kosovë, shqiptarët pa pasaportë “të gjelbër” ose Test kthehen pas në kufi
Shqiptarët që kanë bërë vetëm një dozë vaksinë anti-Covid nuk do të lejohen të futen në Kosovë, ku nga kjo e enjte janë forcuar masat në kufi. Kush nuk ka pasaportën e gjelbër ose test që të provojë se nuk mbart virusin vdekjeprurës po kthehet pas.
Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria që kanë marrë vetëm një dozë vaksinë nuk u lejuan të futen këtë të enjte në Kosovë, ku kanw hyrë në fuqi masa të reja anti-Covid në kufi.
Sipas vendimit, në territorin e Kosovës mund të futen vetëm udhëtarë me pasaportë vaksinimi të plotë ose janë të pajisura me teste të njohura që provojnë se nuk janë mbartës të virusit vdekjeprurës.
MASAT NË KOSOVË
-Certifikatë vaksinimi
-Testi RT-PCR negativ, 72 orë
-Test i shpejtë antigjen, 48 orë
Shtetasit kosovarë, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, në rast se nuk posedojnë një nga dokumentet e mësipërme, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.
Përjashtim nga këto rregulla bëjnë drejtuesit e mjeteve të transportit ndërkombëtar, diplomatët dhe personat nën 16 vjeç.
Po ashtu të përjashtuar janë ata që kalojnë tranzit përmes Kosovës.
Por shumë udhëtarë thonë se ishin të painformuar me masat e reja të qeverisë së Kosovës.
E njëjta procedurë ndërkohë ndiqet edhe për ata që futen në Shqipëri.
Me përfundimin e sezonit turistik, fluksi i lëvizjes mes Shqipërisë e Kosovës ka rënë ndjeshëm.
Mesatarja javore shkon në rreth 3000 qytetarë dhe 400 automjete. Pasaporta e vaksinimit ose testet anti-Covid, janë kusht për lëvizjen e lirë mes të gjitha vendeve të Ballkanit që po përballen me rritje të infektimeve.
/OraNews/
