Kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për ‘Becchetti’, Balla: Shkel parimet kushtetuese dhe dëmton interesat publike
Partia Socialiste është kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për ‘Becchetti', kërkesë e cila është bërë nga Partia Demokratike.
Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla tha se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor në këtë moment për çështjen “Becchetti”, shkel jo vetëm parimet kushtetuese dhe ato të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmton rëndë interesat publikë të Republikës së Shqipërisë.
Taulant Balla: Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar saktë kuadrin e funksionimit dhe objektin e punës së Komisioneve Hetimore, Në asnjë rast nuk duhet të cedojnë nga zbatimi i parimeve Kushtetuese. Kështu në vendimin 18, 2003 shprehen se Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli, që ngritjen por çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale. Duhet të respektojë parimet Kushtetuese duke mos cenuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e pushteteve të tjera.
Në përfundim mazhoranca vlerëson se ngritja e këtij komisioni hetimor në këtë moment, shkel jo vetëm parimet kushtetuese dhe ato të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmton rëndë interesat publikë të Republikës së Shqipërisë. Secili nga ne duhet të ndjejë përgjegjshmëri atdhetare dhe të mëvetësohet në profilin e një shtetari, duke lënë mënjanë interesa të vogla politike, apo duke u distancuar nga interesa të dyshimta për përfitime personale apo në favor të personave të tretë, dhe duke marrë hapur krahun e shqiptarëve dhe interesave të Shqipërisë, për to mos u dhënë asnjë shkas lindjes së pretendimeve për fatura financiare dhe dëm të autoritetit dhe imazhit të vendit.
Balla shprehet se duhet të presim përfundimin e proceseve në lidhje me çështjen ‘Becchetti', e nëse opozita e shikon të vlefshme të ngrihet edhe Komisioni hetimor në bazë të përcaktimeve dhe kushtëzimeve të Kushtetutës dhe të ligjit.
Taulant Balla: Pa pasur aspak frikë nga transparenca dhe me bindjen e plotë për të mbështetur të drejtën e kontrollit parlamentar, le të presim përfundimin e të gjithë këtyre proceseve dhe, më pas, nëse opozita e vlerëson ende të vlefshme, të ulemi dhe të koordinojme objektin e një komisioni hetimor, sipas përcaktimeve dhe kushtëzimeve të Kushtetutës dhe të ligjit".
Ndërkohë Ballës i është përgjigjur dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili tha se PS me refuzimin për ngritjen e Komisionit Hetimor, po tenton të mohojë të drejtën e PD. Bardhi shprehet se PS duke ndaluar ngritjen e komisionit hetimor, kërkon dhe ndalimin e transparencës.
Gazment Bardhi: Po tentoni të mohoni të drejtën tonë. E drejta jonë nuk varet nga humori i Ramës. Nuk e pengoni dot ngritjen e komisionit hetimor. Thjesht po pengoni për pak kohë ngritjen e komisionit deri sat ë shprehet gjykata Kushtetuese. Duke ndaluar komisionin hetimor kërkoni të ndaloni transparencën. Doni ta mbani në errësirë dhe vetë-denoncoheni.
