Foltorja "trazon" Kuvendin/ Politikë më akuza personale, Rama dhe Basha nuk e kursejnë njëri-tjetrin në Kuvend
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha u përplasën ashpër në Kuvend ku përveç debateve politike për ekonominë, rendin dhe drejtësinë nuk i kanë kursyer ironitë dhe akuzat personale.
Për më shumë se 1 orë e 30 minuta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha u përplasën dhe debatuan në Kuvend, duke nisur nga kriza energjitike, situata ekonomike, komisioni hetimor për Becchettin dhe incineratorët por dhe mbi zhvillimet brenda Partisë Demokratike.
Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se e ka zhytur vendin në varfëri për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes, ndërsa paralajmëroi padi për tenderat në sistemin energjitik.
Vetëm në muajt e fundit, tha ai, janë më shumë se 10 milion euro tendera korruptivë për blerje energjie.
"Vetëm midis shtatorit dhe tetorit i kanë krijuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej afro 40 milionë euro. Ne do të depozitojmë nesër kallëzimin penal," u shpreh Basha.
Ai akuzoi Ramën se ka marr peng drejtësinë.
"Keni kapur për bishti drejtuesit e drejtësisë së re, i bëtë rezil ambasadorët e partnerëve tanë strategjjikë duke i shkuar çdo javë dhe i thoni veproni, veproni, veproni. Sa dalin ata nga dera kërcasin telefonat, mbushen sarajet dhe zyrat e tua me prokurorë që të vijë natën që mos shkarkohen nga vetingu," tha Basha.
Por kryeministri, Edi Rama, ishte i bindur kur tha se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike ndërsa i kërkoi opozitës që të heshtë të paktën për këtë çështje, duke i përmendur problemet që sipas tij kishte ky sektor në kohën e qeverisjes demokrate.
"Energjinë që çfarëdo që të bëjmë ne, ma besoni këtë gjë, duhet t'ia vini vetes një moratorium heshtjeje," tha Rama.
Kryeministri tha se institucionet ndërkombëtare e certifikojnë stabilitetin ekonomik. Në këtë pikë ai tha se jo vetëm që nuk do të ulë shpenzimet për investimet, por njoftoi se brenda një viti Shqipëria do të dërgojë satelitë në orbitë.
"Vitin tjetër satelitë, Albania One, Albania Two në orbitë," tha Rama.
Seanca nisi e tensionuar dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi ashpër ndaj deputetit socialist Eduard Shalsi. Ky moment u përdor nga Kryeministri për të ironizuar debatin brenda PD-së.
"Mos imito atë të Foltores dhe sa më shumë klith si ai i Foltores, aq më shumë dukesh personazh i Qajtores," tha Rama.
Por Lulzim Basha, qartë u paraqit në këtë seancë i zhveshur nga komplekset, duke dhënë një mesazh të prerë për Edi Ramën por indirekt edhe për ish-liderin e tij Sali Berisha.
"Bën mirë që i ndjek ngjarjet brenda familjes tonë politike me kaq kërshëri. Mëso sepse as ty, askënd tjetër që ka bërë hesap të vendosë interesat personale mbi interesat e shqiptarëve nuk i pret një fund i ndryshëm nga ai që rezervon çdo shoqëri dhe çdo komb që ka vendosur të ecë përpara," tha Basha.
Lulzim Basha nuk nguroi të përmendë me emra ata që i quan oligark dhe klientë të Ramës
"Një nga një t'i marr unë. Pse të ra heshtja mbledhjen e kaluar kur të thanë që 30% e karburantit futet kontrabandë?" tha Basha.
"E di gjithë Shqipëria që këto janë gjoba Lulëzim, nuk është se nuk e di Shqipëria. Këto janë gjoba," tha Rama.
Kuvendi voton komisionet hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita. Kryeministri Edi Rama, dha argumentet pse socialistët nuk e pranojnë hetimin për çështjen Becchetti, ndërsa e quajti të turpshme faktin pse PD, rreshtohet në krah të tij.
"Ky personi që ju keni dalë dhe e keni kthyer në heroin tuaj është në kërkim nga drejtësia shqiptare, e keni të qartë këtë apo s'e keni të qartë," tha Rama.
Por edhe në këtë pikë Rama e mori përgjigjen e kreut të opozitës.
"Arrestoje Becchetin. Por nga ana tjetër ti je i dënuar, ja ku është vendimi. Ky është vendimi që ky thotë nuk ekziston bashkë me interesat 120 milionë euro," tha Basha.
Në parlament Lulzim Basha, kishte dhe një thirrje për sistemin e drejtësisë.
"Zonja dhe zotërinj të gjyqësorit u bë kohë që shqiptarët po ju presin, mos lejoni që mosveprimi dhe vonesa juaj të bëhet penguese thelbësore për demokracinë dhe për interesat e qytetarëve tanë," përfundoi Basha./OraNews/

