Përplasje shifrash për ekstremizmin, OSBE dhe IDM: 1353 qytetarë nga Ballkani në zonat e luftës; Qeveria:1000

OSBE dhe Instituti për Demokraci raportojnë të dhëna të ndryshme nga Qeveria shqiptare në lidhje me numrin e personave të dërguar në zonat e luftës nga Ballkani. Organizatat e huaja flasin për rreth 1353 burra, gra e fëmijë, ndërsa përfaqësuesja e qeverisë shqiptare tha se janë vetëm 1 mijë persona, nga të cilët rreth 300 janë nga Shqipëria.

“Nga të dhënat e raportuara nga Instituti Shqiptar për Demokraci janë 1353 burra, gra dhe fëmijë që janë larguar nga Ballkani Perëndimor derejt vendeve të radikalizuara si Siria dhe Iraku 5 vitet e fundit".

Këto shifra të dhëna nga ambasadori i OSBE Vicenzo de Monaco në lidhje me numrin e personave të rekrutuar nga rajoni për tu dërguar në zonat e luftës, u kundërshtuan nga Lejdi Dervishi, drejtoreshë e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Statistikat e përfaqësueses së Qeverisë ishin ndjeshëm më të reduktuara.

Dervishi: Janë rreth 1000 qytetarë që janë larguar nga Ballkani Preëndimor. Gra dhe fëmijë janë 35% e tyre. 144 prej tyre janë nisur nga Shqipëria dhe rreth 40 prej tyre kanë qenë gra dhe fëmijë.

Për rikthimin e shtetasve shqiptarë të dërguar në zonat e luftës, janë ndërmarrë 3 operacione nga Qeveria shqiptare dhe partnerët e huaj.

Zëvendsmimistri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla, tha se është parësor  krijimi i një terreni njerëzor për të kthyerit nga kampet.

Nikolla: Është mirë të krijohet një klimë kulturore mikpritëse për gratë, një klimë e re e mendësisë së qasjes ndaj grave.

Arsyet kryesore të largimit të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të luftës si Siria dhe Iraku janë ekstremizmi i dhunshëm, bashkimi familiar kur njëri nga bashkëshortët ka shkuar më herët por edhe shkaqet ekonomike dhe ideologjia.