Të rinjtë nuk duan të bëhen mësues

Degët e Mësuesisë po shkojnë drejt braktisjes. Në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan në këtë fushë janë ende të lira gjysma e kuotave. Situata mbetet e njejtë si në Tiranë por edhe në Shkodër, dhe shkak bëhet koha e gjatë për nisjen e punës, por dhe mesatarja e lartë e kërkuar.

15 mijë studentë janë regjistruar në dy raundet e para në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan për vitin e ri akademik.

Degët profesionale 2 vjeçare duket se janë një zgjedhje në masë e studentëve.

"Degët më prioritare janë fakulteti i shkencave mjekësore teknike, fakulteti i shkencave të natyrës në degët profesionale 2 vjeçare".

Në Tiranë dhe në Shkodër këtë vit janë shënuar më pak studentë që duan të ndjekin Mësuesinë.

Edhe në universitetin "Aleksandër Xhuvani", fenomeni është i njëjtë.

Mesatarja si kriter kryesor dhe po ashtu kohëzgjatja e studimeve deri në 7 vite për tu futur në një vend pune, duket se janë arsyet kryesore pse Mësuesia nuk preferohet, duke krijuar një boshllëk në arsim.

"Kemi rënie të studentëve në degët e Mësuesisë, ky nuk është një problem vetëm për universitetin "Aleksandër Xhuvani" por për të gjitha degët e Mësuesisë" .

Fakulteti i Mjekësisë mbetet më i preferuari për studentët, ndërsa ky universitet vijon të ketë ende kuota të lira në pothuajse të gjitha drejtimet.

"Ka degë në disa fakultete të shkencave humane, shkencave të natyrës dhe shkencave të edukimit që riskojnë të mos hapen gjatë këtij viti akademik."

Zyrtarisht viti akademik 2021-2022 nis me datën 18, ndërsa të gjithë studentët duhet të jenë ose të vaksinuar ose të paraqesin një test negativ çdo javë për të ndjekur leksionet.