Policia arreston "Rebelin" e Durrësit, i gjen kanabis dhe pistoletë në banesë

Policia e Durrësit ka sekuestruar një 1 armë zjarri tip pistoletë, lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, fara canabisi dhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza.

Në pranga ka rënë poseduesi i tyre, një 30-vjeçar me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.   


             

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se 1 shtetas me pseudonimin “Rebeli” lëvizte me armë në zonën e lagjes nr. 13, Durrës dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, menjëherë kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rebeli”.Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve" njofton policia.

Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, 1.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, një sasi farash si ato të cannabis sativa, një peshore elektronike dhe dy aparate celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".