Vlorë, hajduti ngjitet nga tarraca dhe vjedh dokumente në zyrat e administrimit e mbrojtjes së tokës
Zyrat e Këshillit të Qarkut Vlorë, pranë pallatit të Kulturës janë vjedhur me thyerje pas mesnate, dhe aty janë marrë dokumente të rëndësishme për pronat.
Sipas policisë, ka qenë një person i vetëm që ka hyrë brenda institicionit, dhe më pas i është drejtuar zyrave të Pronës dhe Mbrojtjes së Tokës.
Bardhi Gjika, Drejtori i zyrës, konfirmon se aty ruhen dokumente të rëndësishme që lidhen me pronat, ndaj po bëhen verifikime për të zbuluar çfarë është vjedhur.
Gjika: Rreth orës 24:15 jam njoftuar se ka hapur zyrat një person, e ka hapur me mjete të forta, zyrat e pronave. Erdha këtu, gjeta policinë dhe rojet. Po merret policia. Jemi duke bërë dhe një inventar për të saktësuar se çfarë mungon dhe do t'ja paraqesim organeve. Është drejtoria e administrimit të mbrojtjes së tokave. Janë zyra të një rëndësie në krahasim me zyrat e tjera të qarkut. Nëse ka humbur një dokument origjinal ka një rrezik se nuk mund të krahasohet me një dokument fotokopje.
Kamerat e sigurisë dhe dëshmia e rojes ndërkohë kanë zbardhur dinamikën e vjedhjes me thyerje të institicionit të Këshillit të Qarkut.
Autori ka qenë i armatosur dhe i maskuar. Ai ka thyer fillimisht një dritare për të hyrë brenda godinës ku më pas ka shkatërruar dyert e dy zyrave dhe ka marrë dokumentet që kërkonte.
Burimet thonë se ai është pikasur nga roja i sigurisë, të cilin e ka kërcënuar me armën që mbante me vete dhe më pas është larguar nga dera e institucionit.
Gjika: Roja e ka konstatuar dhe njoftuar. Sipas të dhënave ka hyrë nga dritarja dhe pastaj ka dalë nga dera kryersore.
Në këtë kohë, roja i sigurisë ka ngritur alarmin për vjedhjen e institucionit.
Ekspertët e policisë së Vlorës sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë dhe kqyrën zyrat e thyera në kërkim të provave që mund të çojnë tek autori.
Vlora është një prej zonave të konsideruara më të nxehta me konflikte për çështjet e pronësisë.





