Basha: Disa në PD po bisedojnë me Ramën, pasurohen me kontrata korruptive

Kryetari i PD, Lulzim Basha, nuk tërhiqet nga paralajmërimi i bërë Flamur Nokës për përjashtimin nga grupi parlamentar. Madje për mediat ai shprehet se disa demokratë po zhvillojnë bisedime me Ramën dhe po bëjnë veprime që i shërbejnë Kryeministrit. Nga ana tjetër kreu i selisë blu shprehet se llumi i shoqërisë janë ata që pasurohen me kontratat korruptive.

Tirane- "Mbrëmë në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar quajti llum anëtarësinë dhe elektoratin e PD-së."

Kjo deklaratë i ka kushtuar deputetit të PD-së,  Flamur Noka, postin e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë por dhe është paralajmëruar për përjashtim nga grupi parlamentar.

Lulzim Basha deklaron se akuzat e ngritura ndaj tij janë shpifje dhe se ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar.

"Nuk mundet që PD që ka kundërshtar dhe armik armikun e shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në të gjithë format dhe mënyrat".

Duke përjashtuar veten nga negociatat me Partinë Socialiste, Basha shprehet se disa të tjerë në PD po bëjnë bisedime me Ramën.

"Nuk mund të mbetemi peng i axhendave personale që kërkojnë të kthejnë PD në një bunker për interesa personal të kujdo qofshin këto. Fraza të dala indirekt apo dhe këtu nga kjo foltore që janë sajesa dhe shpifje i shërbejnë Edi Ramës. Ato bëhen për të demoralizuar demokratët".

Për të përgënjeshtruar Nokën, Basha dha qëndrimin e tij dhe mbi personat e etiketuar si llum.

"A ka patur llum gjatë qeverisjes së PD, padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ja kemi dalë dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncesionet e inceneratorëve, njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë, njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama, dhe janë shantazhuar nga Edi Rama për ti shërbyer Edi Ramës, apo promovuar nga Edi Rama që këto para të vëna me praktika korruptive gjatë kohës që qeverisnim ne ti përdorë për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e PD se po u bëka presion dmokratëve, kjo është e patolerueshme".

Deklaratat kryetari i PD-së i bëri pas takimit me Ministren e Britanisë ku u diskutua roli i medias dhe mbrojtja e lirisë së fjalës.