GJKKO i kthen SPAK dosjen për ish-kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja, kërkon plotësimin e saj

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer mbrapsht prokurorisë dosjen për konfiskimin e pasurisë së ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Trupa e ka konsideruar materialin e paplotë ndaj dhe është kërkuar plotësimi.

Avokati i ish-kryetarit të Kushtetueses shprehet se materialet në dosje nuk ishin marrë në rrugë ligjore.

"Qëndrimi jonë ishte për pavleshmëri të akteve dhe deklarimit të pushimit të procedimit. Qëndrimi alternativ ishte kthimi për plotësim të hetimeve, gjykata dha vendim shumë të argumentuar përsa i përket rregullshmërisë së hetimit dhe sjelljes të gjithë elementëve që duhet të plotësojnë dosjen penale pasi nuk ishin marrë në formën e duhur nga ligji".

 

Në seancë Dedja kërkoi pavlefshmëri, ndërsa avokati shprehet se pasuria për të cilën klienti i tij akuzohet është një garsoniere, edhe pse prokuroria pretendon për pasuri të tjera.

"Sipas prokurorisë ishin dhe pasuri të tjera. Por bëhet fjalë për një garsoniere në Malin e Robit, nuk i kap as 2 milion lekë të reja në kohën kur është krijuar si pasuri dhe është në emër të vëllait të akuzuarit Dedja.Gjithë pasqyrimi që është bërë në Komisionit e vettingut nuk ishin  pasyruar në dosjen penale të prokurorisë. Ishte vendim shumë ligjor dhe shumë profesional nga gjykata. E ngarkon prokurorinë të marrë provat në formën e kërkuar nga ligji. Akti i ekspertimit ku ishte mbështetur ngritja e akuzës u deklarua i papërdorshëm. Ju la një kohë deri me 30 nëntor dhe jemi të bindur që do të shkojë te pushimi i akuzës".

Tre javë më parë GJKKO i kërkoi prokurorisë të plotësojë dosjen dhe për ish-anëtarin e gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo.

Të dy gjyqtarët u shkarkuan për shkak të vettingut.