Nobeli për Ekonominë shkon për 3 pionierët e studimeve në jetën reale

Tre ekonomistë amerikanë që studiuan dhe shpjeguan si funksionon tregu i punës do të ndajnë së bashku Çmimin Nobel për Ekonominë për vitin 2021.

Dejvid Kard, Xhoshua Engrist dhe Guido Imbens u shpallën fitues të hënën nga Akademia e Shkencave e Suedisë.

Tre ekonomistët u vlerësuan për eksperimentet që përdoren për t'u dhënë përgjigje pyetjeve me interes shoqëror, se sa e ndikojnë tregun e punës rroga minimale, niveli i arsimimit, emigracioni, profesionet që zgjedhin të rinjtë apo politikat që ndjek shteti.

Dejvid Kard analizoi 30 vite më parë efektet e tyre në jetën reale, ndërkohë që izraelito-amerikani Xhoshua Engrist dhe holandezo-amerikani Guido Imbens i zhvilluan metoda shkencore për t'i interpretuar lidhjet shkak-pasojë.

Revolucioni që të tre kryen në fushën e mikroekonomisë tani po zbatohet edhe në fusha të tjera për të analizuar e interpretuar fenomene të ndryshme.

"Është revolucionarizuar mënyra se si ne kryejmë kërkime empirike. Pyetjet dhe përgjigjet mbi shkakësinë janë ngritur më parë mbi supozime teorike që pak a shumë ne e dinim se ishin të pavërteta, ndërsa tani mund të dalim jashtë dhe të ngremë pyetje nga më interesantet, si ndikojnë ndërhyrjet te fëmijët e vegjël kur ata rriten, si ndikojnë sistemet fiskale, dhe me këto njohuri mund të këshillojmë më mirë," tha Eva Mwrk, pjesëtarja e komitetit vlerësues për Çmimet Nobel.

Çmimi Përkujtimor për Nobelin në Shkencat Ekonomike ndahet prej vitit 1969 në kujtim të shkencëtarit suedeze, Alfred Nobel, dhe është i fundit që akordohet për 2021-in pas Fizikës, Kimisë, Mjekësisë, Letërsisë dhe Çmimit Nobel për Paqen.