Nobeli i Letërsisë shkon për romancierin nga Tanzania
Romancieri nga Zanzibari, Abdulrazak Gurnah, është shpallur fitues i Nobelit të Letërsisë për vitin 2021. Juria e Akademisë mbretërore të Shkencave me bazë në Stokholm ka vlerësuar autorin "për depërtimin e tij të pa kompromis në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit midis kulturave dhe kontinenteve".
Autori Tanzanian 73-vjeçar është i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuha e tij e parë është suahilishtja, por anglishtja u bë gjuha e tij letrare.
Romanet e tij të famshme në gjuhën angleze janë "By the Sea", "Desertion" dhe "Paradise", që u përzgjodh për Çmimin “Booker” dhe Çmimin “Whitbread”. Ai është autor i 10 romaneve.
"Përkushtimi i Gurnah ndaj së vërtetës dhe neveria e tij ndaj thjeshtësimit janë goditëse. Romanet e tij tërhiqen nga përshkrimet stereotipike dhe na hapin horizontin drejt një Afrike Lindore të larmishme kulturore, të panjohur për shumë në pjesë të tjera të botës," thuhet ndër të tjera në deklaratën e Akademisë.
Nga 1980 në 1982, Gurnah dha leksione në Universitetin Bayero Kano në Nigeri. Më pas ai u transferua në Universitetin e Kentit, ku mori doktoraturën në vitin 1982.
Tani është Profesor dhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare në Departamentin e Anglishtes. Interesi i tij kryesor akademik është në shkrimet postkoloniale dhe në diskurset që lidhen me kolonializmin, veçanërisht pasi ato lidhen me Afrikën, Karaibet dhe Indinë./Ora News/


