Pandemia, pasoja te shëndeti mendor, ja çfarë këshillon neuropsikiatri
Pandemia e Covid-19 po përjetohet me stres, me frikë, me kufizime dhe me emocione të forta, dhe po rrezikon shëndetin mendor të njerëzve.
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Kosovë, Sami Rexhepi, parashikon një të ardhme të zymtë për vendin e tij.
“Pasojat e pandemisë COVID-19 janë shumë më shumë se nëse përkufizohemi në një aspekt, qoftë nëse e marrim shëndetin fizik, qoftë nëse i marrim humbjet të cilat kanë ndodhur, vendet e punës, e ajo që ka qenë edhe më e rëndë, humbja e anëtarëve të familjes.
Të gjitha këto e përbëjnë një tërësi që nuk mund të shprehet vetëm me numër. Mirëpo, ajo që po më brengos më tepër është se do të ketë edhe më tepër probleme të pasojave mendore në të ardhmen. Posaçërisht po e theksoj në aspektin e shëndetit mendor do të ketë pasoja mjaftë të mëdha.”
Te shëndeti mendor ndikojnë aspektet socio-ekonomike dhe një çrregullim i balancës mendore e fizike ndikon funksionalisht te individi.
“Në shëndetin mendor normalisht që ndikojnë edhe aspekti socio-ekonomik i individit. Një çrregullim i baraspeshës së shëndetit mendor dhe shëndetit fizik patjetër rezulton me një mos-funksionalizim të individit. Kur një individ nuk është funksional ai nuk mundet me e përmbushë dhe të realizojë vetveten në kuptimin e plotë, edhe në vendin e punës.
Do të thotë do të ballafaqohemi si pasojë e kësaj me probleme edhe në të ardhmen.
Nuk do të munden me u kthy në punë dhe në detyrat e tyre menjëherë të gjithë individët, të gjithë ata që e kanë kaluar sëmundjen, qoftë ata që nuk janë prekur nga vet sëmundja, por pasojat sa i përket shëndetit mendor do t’i përjetojnë të gjithë.”
Sipas neuropsikiatrit Rexhepi, virusi korona është një armik i padukshëm dhe po aq të maskuara janë streset që dikush ka kapërcyer apo akumuluar nga humbja e familjarëve prej sëmundjes.
“E kemi pasur një luftë të pashpallur me një armik të padukshëm, i cili për neve individualisht ka qenë prezent në çdo vend.
Dhe, të jetosh me një presion të tillë për më tepër se një vjet e gjysmë dhe me faktin se ka pasur tërë kohën strese të reja, do të dëshiroja të mos ketë çrregullime të stresit post-traumatik sepse ka një karakter kronik ai çrregullim.
Pastaj, është pjesa ku shpeshherë nuk kemi arritur me e tejkaluar as stresin e pikëllimit për humbjen e anëtarëve. Tërë kohën ka pasur strese të reja.”
Izolimi i plotë që në fillim, mungesa e vaksinave në fazat e para dhe vala e re e pandemisë kanë lënë shenja te psikika e popullatës së Kosovës.
Rexhepi kërkon nga tërë shoqëria, familjes, nga politika dhe ushtria e psikologëve, që të mobilizohen për të ndihmuar nismat për shëndetin mendor.
“Rëndësinë e parë këtu e zë vet familja, e cila duhet të jetë më mbështetëse dhe më përkrahëse me anëtarët e familjes, sepse dikush është atakuar më tepër, dikush më pak. Familja është vendi i thithjes së energjisë pozitive, kështu që duhet të kemi kujdes për fuqizimin e familjes.
Pastaj vjen fuqizimi i mjedisit social që mjerisht me këto kufizime, jo vetëm jemi kufizuar por edhe jemi traumatizuar mjaftë… Duhet të ndërrohen politikat sa i përket shëndetit mendor. Për fat të mirë e kemi një ushtri të tërë te psikologëve, nuk na mungojnë kuadrot, na mungon funksionalizimi i tyre dhe organizimi i mirëfilltë e kjo mangësi është mungese e politikave.”



