Të krijosh si Zoti: "Një shekull jetë me baltën"
Në Studion e Papës së ri dhe të vjetër, ka vepra që nga koha e fillimit të studimeve në Rusi të skulptorit Thanas Papa, e deri te më të rejat e fundit të të birit.
Të shtypësh baltën në majën e gishtave për të krijuar më pas mënyrën e asaj forme që ne shohim, është të bësh në jetë atë që ke kërkuar, pa u marrë shumë me të tjerët.
Kur sheh punët e Besit në këtë studio, bindesh se skulptura e parkut te ne, ka të ardhme përtej asaj që mendojmë zakonisht se nuk bën. Shoh veprën e tij të diplomës në Akademi, nudo që po mbledh flokët. Denjësisht e pastër për t’u vendosur në park.

Kjo studio është krijuar në vitin 1958. Si shenjë shpërblimi për artistin e ri Thanas Papa. Sot në Tiranën e fshehur, në rrugicat e Tiranës së qendrës, kjo studio duhet të shpallet Monument Kulture, e të mbrohet nga shteti për të gjitha vlerat që mban në barkun e saj.

E nëse nuk shpallet tani Monument Kulture, sepse nesër mund të jetë tepër vonë, të paktën mund të kthehet shumë mirë në një Muze të Artit Pamor.

Në këtë hapësirë arti, mund të kuptohet shumë mirë si jeton dhe punon njeriu kur shteti dhe sistemi i shkuar diktatorial të vë kushte për të prodhuar art me jetën tënde, kur je i lirë dhe bën çdo gjë që do, por edhe kur kthen sytë pas, kupton se ke krijuar shumë histori.

Arti është i shtrenjtë. Nëse shitet lirë, nuk është më art, por diçka e blerë në supermarket.

