Tre shkencëtarët fitojnë Çmimin Nobel të Fizikës

Tre shkencëtarët fitojnë Çmimin Nobel të Fizikës

Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi  janë shpallur fitues të Çmimit Nobel në Fizikë.

Çmimi u dha për "kontributin e tyre pionier në kuptimin e sistemeve komplekse natyrore".

Fituesit u shpallën sot nga Goran Hansson, sekretar i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Komiteti tha se shkencëtarët Manabe dhe Hasselmann "vendosën bazat e njohurive tona për klimën e Tokës dhe sesi njerëzimi ndikon në të".

Ndërsa puna studimore e shkencetarit Parisi bëri të mundur "kuptimin dhe përshkrimin e shumë fenomeneve që gjejnë zbatim jo vetëm në fizikë por edhe në fusha tjera siç është matematika, biologjia, neuroshkenca dhe inteligjenca artificiale".

Vitin e kaluar, çmimi shkoi për amerikanin Andrea Ghez, Roger Penrose nga Britania he Reinhard Genzel nga Gjermania për hulumtimin e tyre shkencore.

Të hënën, Komiteti Nobel u dha çmimin në fiziologji ose mjekësi amerikanëve David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre se si trupi i njeriut e percepton temperaturën dhe prekjen.

Gjatë ditëve të ardhshme çmimet do të jepen gjithashtu për punën e shquar në fushat e kimisë, letërsisë, paqes dhe ekonomisë./Ora News/