Kriza prek shtëpitë e “barit”, rritja e çmimit të energjisë shton kostot e hashashit
Rritja e çmimeve të energjisë elektrike duket se po prek edhe industrinë kriminale të kultivimit të kanabisit në ambientet e brendshme të banesave.
Kjo mënyrë kultivimi e kanabisit kërkon sasi të lartë të energjisë elektrike më qëllim rritjen e hashashit përmes llambave ndriçuese.
Këto pajisje konsumojnë sasi të konsiderueshme energjie e cila nëse shtrenjtohet rrit edhe më tej kostot e prodhimit të kanabisit.
Gjatë këtij viti sektori kundër krimit dhe narkotikëve ka evidentuar të paktën 10 banesa të tilla të cilat ishin përshtatur për si serë kanabisi në qarkun e Tiranës.
Po ashtu të paktën 15 persona janë arrestuar në flagrancë gjatë këtyre operacioneve policore.
Sipas burimeve policore në Tiranë por edhe në zonat periferike ka një numër më të shtuar të banesave që janë lëshuar me qira për t'u përdorur për kultivim bimësh narkotike.
Për këtë arsye policia prej kohësh ka nisur në bashkëpunim me OSHEE-në për verifikimin e të gjitha faturave të shpenzimit të energjisë.
Ndërkohë vëmendje i është dhënë edhe pyetjes së personave të kapur me doza hashashi në kryeqytet të cilëve u kërkohen shpjegime se ku e marrin lëndën narkotike.
Të ashtuquajturat shtëpi bari kanë një kosto të lartë për shkak të sigurimit të farës së kanabisit, por edhe për mjetet e tjera të punës pasi një llambë TL me fuqi nga 400-600 Watt që kap një vlerë deri në 10 mijë euro.
Rasti më i fundit i goditjes së shtëpive ku kultivohet kanabis u regjistrua një ditë më parë me arrestimin e tre personave.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën edhe 27 kg lëndë e dyshuar kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndës narkotike, doza me lëndë të dyshuar kokainë, një peshore elektronike dhe një automjet./OraNews/
