U përfshi në një sherr mes të rinjve dhe nxori armën e shërbimit, procedohet polici në Korçë. Një 23-vjeçar përfundon te Trauma
Katër ditë pasi ka kaluar afati 100 ditor i vendosur nga kryeministri Edi Rama për ta sjellë policinë më pranë qytetarit, rikthehet dhuna fizike e uniformave blu.
Një efektiv në Korçë, është proceduar penalisht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pasi ka nxjerrë armën e shërbimit në një konflikt mes dy personave të tjerë.
A.K., 22 vjeç, dhe polici E. J., 21 vjeç, janë shoqëruar e më pas proceduar, pas konfliktit fizik me një 23-vjeçar pasditen e së shtunës.
Fillimisht konflikti ka nisur me një përballje verbale mes A.K., 22 vjeç dhe një 23 vjeçari, ndërsa ka degjeneruar në dhunë fizike ku 23 vjeçari ka marrë goditje të forta që I kanë shkaktuar plagë.
Gjatë konfliktit fizik, ka ndërhyrë edhe efektivi i policisë E. J., 21 i cili ndodhej jashtë shërbimit, i cili ka nxjerrë armën e punës duke ia drejtuar 23 vjeçarit.
Për shkak të dëmtimeve i riu është dërguar menjëherë drejt spitalit të traumës në tiranë për të marrë ndihmën mjekësore.
Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ngritur akuzat e "Plagosjes së lehtë me dashje" për A.K dhe "Shpërdorimi i detyrës" për policin E. J pasi ai jo vetëm që ka nxjerrë armën e shërbimit pa u prezantuar si punonjës rendi, por edhe nuk e ka raportuar ngjarjen pranë kolegëve të tij./OraNews/
