Dyshohet autor i 5 vjedhjeve në Vlorë, arrestohet 27-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori i tij

Policia e Vlorës ka arrestuar një 27-vjeçar si autor i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndodhura në këtë qytet.

Gjithashtu është shpallur në kërkim bashkautori dhe po vijon puna për kapjen e tij.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar "Përsëritësit", u arrestua në flagrancë shtetasi K. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit u bë gjithashtu dhe ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Ç., 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, banues në Vlorë.

Arrestimi i shtetasit K. L, u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke vjedhur në automjetin e një shtetasi, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë.

Nga hetimet e kryera dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç, janë autorët e dyshuar të 5 vjedhjeve të ndodhura më parë, në qytetin e Vlorës, konkretisht vjedhjes së një automjetit tip "Volkswagen" në pronësi të shtetasit M. Dh, vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shume parash në automjetin e shtetasit A. K, veglave pune në automjetin e shtetasit K, Q, sendeve personale dhe një shume parash në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarsia” si dhe vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shumë parash në automjetin e shtetasit E. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale "Vjedhja" e kryer në bashkëpunim./OraNews/