Dhunohet dhe kërcënohet me jetë një familje në Kuçovë, 34-vjeçari denoncon autorët: Nuk janë arrestuar ende

Dy ditë më parë, në qytetin e Kuçovës një familje është dhunuar e terrorizuar nga 6 persona,të pajisur të gjithë me shkopa bejzbolli.

Denoncimi në lidhje me ngjarjen është bërë publik në media nga 34-vjeçari Arbër Liço.

Liço ka deklaruar se këta persona i kanë shkuar në banesë me shkopa bejzbolli dhe kanë tentuar t'i hyjnë me forcë brenda.

Arbri ka mundur të mbyllë portën, por është rrahur prej tyre me shkopa bejzbolli dhe shenjat e dhunës i ka ende në trup,edhe pse kanë kaluar 2-ditë nga ngjarja.

“Kam qenë duke u kthyer nga puna në hyrje të Kuçovës. Ka qenë Loni Malaj me një person të quajtur Xhelo të cilët më kanë sharë dhe më kanë ofenduar edhe nga familja. Arsyen nuk e di, kam ndaluar makinën dhe i kam pyetur pse më shanin, kanë vazhduar përsëri të më shajnë.

jemi shtyrë me duar, më vonë i kam hipur makinës dhe kam shkuar në shtëpi. Rreth 30 minuta më vonë më ka ardhur Loni Malaj bashkë me djalin e vet Gert Malaj dhe 3 persona të tjerë me shkopa bejsbolli.

Më kanë dhunuar banesën, më kanë sharë, më kanë ofenduar, më kanë kërcënuar mua prindërit e mi dhe nipin tim. Me shpejtësi kam mbyllur portën me çelës, nuk i kam lënë të hyjnë brenda. Lon Malaj e njoh, Gert Malaj e njoh, personat e tjerë si fytyrë i njoh. Gert Malaj nuk ka ndërhyrë, ka ndërhyrë vetëm për të qetësuar situatën.

Kam lajmëruar policinë e shtetit, kanë bërë ato hetimet e veta, i kam kërkuar të gjejnë personat që e kanë bërë këtë. Më kanë thënë që nuk i kanë gjetur, por Kuçova është e vogël, po të duan ata i gjejnë. Nuk mund të jetë e vështirë në një qytet kaq të vogël, ku të gjithë ia dimë gjërat njëri-tjetrit.

Unë dhe familja ime, prindërit e mi dhe nipi im kanë të drejtë të vazhdojnë jetën normalisht. Nëse kanë diçka me mua jam këtu, të merren me mua. Nëse ka drejtësi të ma tregojnë, nëse ka polici le ta tregojnë," tha ai.

Pasi u larguan nga banesa e familjes Liço,agresorët u kanë thënë "jeni të vdekur". Arbri ka njoftuar policinë,e cila ka mbërritur në banesën e tij, në lagjen "11 Janari" në Kuçovë.

Pas kësaj, ai ka bërë edhe një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, por personat janë shoqëruar vetëm 2-orë dhe janë liruar.

Duke deklaruar se ai nuk ka pasur konflikte me askënd dhe se jeta e tij dhe e familjes së tij është e rrezikuar nga këta persona, Arbri kërkon ndihmën e policisë së shtetit dhe ndjekjen ligjore të rastit të rëndë./OraNews/