Dështon karta e rezidentit, mungesa e parkimeve makth për qytetarët e Tiranës: Ta zgjidhë bashkia

Projekti i bashkisë së Tiranës për kartën e rezidentit duket se ka dështuar plotësisht pasi parkimi është kthyer në makth për qytetarët e Tiranës. Hapësira publike është zënë nga subjektet private me leje abuzive ose pa leje, ndërkohë që bashkia nuk vepron për tu gjetur hapësira atyre që vetë i ka pajisur me kartën e rezidentit.

Mungesa e hapësirave të parkimit në kryeqytet po kthehet në makth edhe për qytetarët e pajisur me kartën e rezidentit.

Ky shërbim i bashkisë së Tiranës ka dështuar pasi pothuajse në çdo lagje të kryeqytetit ka mungesë parkimesh.

Në rrugën "Sitki Çiço" banorët u mblodhën për ti bërë thirrje bashkisë për një zgjidhje.

"Për të parkuar është faqe e zezë, nuk kemi ku të parkojmë. Këtu s'ka parkim, aty matanë nuk na lë bashkia, janë gjysma e makinave të pallatit se po të jenë të gjitha makinat këtu bëhet katrahurë."

"Problemi është që banorët janë rezidentë, makina e tyre ka kartën e rezidentit. Ky është problem që duhet zgjidhur, u bë rregullimi, rruga e re, dhe u ndërpre parkimi këtu. Por ku do shkojnë rezidentët, kush ka pyetur?"

"Ne kërkojmë që ta kemi atje ku ka qenë."

Vetëm disa metra më poshtë parking është lënë nga bashkia dhe kjo për to është jo e drejtë.

"Gati 200 metra më tej ka parkim, unë nuk e kuptoj se pse mos kemi dhe ne këtu. Nuk lejohet të vija as një ambulancë për një hall a për diçka tjetër."

"Bashkia duhet të ishte transparente. Nga një anë thotë merrni kartat e rezidentit, nga ana tjetër nuk vlejnë. Fillojnë konfliktet pastaj."

Banorët thonë se karta e rezidentit nuk po u shërben për asgjë.

"Të na zgjidhin problemin sepse ka mundësi."

"Si do vijë ambulanca këtu, ku do kalojë?"

"Të kemi të drejtën të parkojmë vetëm makinat tona."

Sipas tyre çdo hapësirë publike është zënë nga subjektet private.

"Ka vend, nuk është problem. Këta e kanë ngushtuar vetë, hapësirën publike ja kanë dhënë lokaleve."

"Po të shikosh të gjitha këto ambiente këtu janë të zëna me lokale, nuk pyet njeri se çfarë ndodh me ata njerëz që do shkojnë."

Banorët e zonës thonë se janë ankuar prej pesë muajsh por problem i tyre  nuk po merr zgjidhje./OraNews/