Manastirliu nga Selenica e Vlorës: Ftesë për çdo grua, kryeni mamografinë në kohë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, nga Selenica e Vlorës, i ka bërë thirrje të gjitha grave të kryejnë ekzaminimet në kohë për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të gjirit.
"Eshtë një muaj ndërgjegjësimi për të gjitha gratë që ende nuk e kanë kryer kontrollin periodik të gjirit apo mamografinë për t’u paraqitur pranë spitaleve rajonale apo në Tiranë në Spitalin Universitar ‘Nënë Tereza’, në poliklinikën qendrore për të kryer sa më shpejt mamografinë, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u ka kërkuar mjekëve të familjes të bëjnë planifikime rigoroze për grupmoshat e përcaktuara për kryerjen e mamografisë, jo vetëm në muajin tetor.
"Është e rëndësishme për të theksuar që tashmë e kemi plotësuar të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale me mamografi. Ajo çfarë kërkohet dhe i kërkohet strukturave të kujdesit shëndetësor, mjekëve të familjes, është planifikimi rigoroz për çdo grua për të kryer kontrollin," tha Manastirliu.
Gjithashtu u bë me dije se janë 14 njësi mamografie fikse dhe dy njësi të lëvizshme në dispozicion të grave afër vendbanimeve në muajin e luftës kundër kancerit të gjirit./OraNews/
