Gazetaria në kohë krize, mbahet në Tiranë konferenca e 8-të e medieve në Evropën Juglindore
"Gazetaria në kohë krize" do të jetë tema e Konferencës së 8-të të Medieve në Evropën Juglindore, që do të nisë punimet të hënën.
Kjo konferencë do të shërbejë si një thirrje për të afirmuar rëndësinë e gazetarisë si një e mirë thelbësore publike dhe shtyllë e shoqërive demokratike.
Ajo synon të nxisë bashkëpunimin rajonal për të adresuar sfidat e lirisë së medies duke eksploruar mundësitë për të çuar përpara mjedisin e medies në rajon, në kuadrin e krizës aktuale shëndetësore të Covid-19.
Në total do të jetë 5 sesione, ku do të trajtohen tema të ndryshme.
Nga sa mësohet sesioni i parë fokusohet në çështjen e dezinformimit dhe shkaqet e tij, rrezikun që i kanoset dhe roli që mund të luajë gazetaria për ta parandaluar.
Sesioni i dytë trajton praktikat dhe përpjekjet më të mira për të lehtësuar situatën e rënduar të gazetarëve në rajon, përfshirë pengesat me të cilat ata përballen në kryerjen e detyrës dhe lirinë e fjalës.
Sesioni i tretë do të trajtojë përfshirjen dhe një përfaqësim të barabartë të grave në sektorin e medies, një çështje që ka qenë në fokus të Prezencës së OSBE -së në Shqipëri dhe do të shërbejë si një platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e veçanta gjinore me të cilat përballen gazetarët në rajonin e Evropës Juglindore.
Mjedisi ligjor i rajonit dhe pasojat e tij për fjalën e lirë dhe lirinë e medies do të formojnë boshtin e sesionit të katërt.
Së fundmi, sesioni i pestë do të ofrojë një mundësi për gazetarët e rinj në rajon.
Mësohet se për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, këtë vit aktiviteti do të zhvillohet një pjesë online dhe një pjesë të pranishëm fizikisht, me pjesëmarrjen e rreth 120 personave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe Mali i Zi, përfaqësues të qeverisë, media, shoqatat e gazetarëve, shoqëria civile dhe akademia.
Ngjarjet dhe aktivitetet e ndryshme në kuadër të "Javës së Medies" do të vazhdojnë deri të enjten, 14 tetor.
Përfaqësuesja e OSBE -së për Lirinë e Medies, Teresa Ribeiro në Tiranë gjithashtu do të marrë pjesë në një konferencë që do të zhvillohet më 13 tetor në Tiranë, organizuar nga AMA, Autoriteti i Medieve Audiovizive.
Fokusi kryesor do të jetë shkëmbimi i përvojave me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe institucione homologe në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve ndaj programeve që mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor dhe fizik./OraNews/

