Konfindustria kërkesë Ramës: Krijo ministrinë e Energjisë, kriza kërkon mirëmenaxhim

Konfindustria, institucioni qe përfaqëson biznesin e prodhimit në vend, i kërkon kryeministrit Edi Rama,  që të ndryshoje qeverinë e krijuar pak javë më parë duke krijuar si portofol të veçantë ministrinë e Energjisë.

Kjo kërkesa vjen duke pasur parasysh shpalljen nga Kryeministri të rrezikut të krizës energjitike në vend.

Ministria e Energjitikës mungon si portofol i veçantë në dy mandatet e fundit të Qeverisë Rama, duke e lënë të përfaqësuar vetëm si shtojcë të ministrisë së Infrastrukturës, sektorin strategjik të energjisë dhe karburanteve.

Sipas Konfindustrisë  një pjesë e rëndësishme e arsyeve të krizës energjitike vjen nga politikat e gabuara, menaxhimi i dobët nga ana e qeverisë.  

“Disa projekte dhe arritje pozitive, në prodhimin dhe përmirësimin e menaxhimit të sektorit energjitik gjatë mandatit të parë u ndërprenë në vazhdim.”

Konfindustria vlerëson se Shqipëria, me sistemin e prodhimit të plotë të energjisë elektrike nga burimet ujore, nëse do të kishte politika dhe menaxhim profesional dhe të pakorruptuar, jo vetëm nuk duhet të ishte prekur nga kriza e sotme e tregjeve ndërkombëtare, por edhe duhet të kishte përfituar epërsi konkurruese ekonomike në rajon.

I njëjti arsyetim sipas këtij institucioni vlen edhe për tregun strategjik të prodhimit dhe tregtimit të hidrokarbureve.

“Shqipëria, megjithëse zotëron fushën kontinentale më të madhe naftëmbajtëse në Evropë, jo vetëm nuk përfiton, por ka çmimet e karburanteve nga më të shtrenjtat dhe cilësi më të dobët në nivel botëror si pasojë e tregut oligopol, mungesës së kontrollit shtetëror dhe korrupsionit”

Kërkesa për krijimin e Ministrisë së Energjisë është pjesë e paketës, që Konfindustria ka përgatitur për përballimin e krizës energjitike./OraNews/