PD: Reforma territoriale e zgjedhore prioritet, jo organet e Vettingut, nëse Rama i ka ofruar zgjidhje Bylykbashit ta refuzojë

PD bën me dije se reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh.

Sipas burimeve, PD shprehet se një gjë e tillë është me interes që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje.

Po ashtu, PD thekson se reforma zgjedhore duhet të nis me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira.

Sipas PD-së kjo gjë nuk duhet bërë siç u orientua më parë gabimisht, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që fatkeqësisht ju prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtar.

“Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Për sa i përket zgjatjes së afatit të organeve të Vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona.” – thekson PD.

Selia blu shton se nëse Oerd Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë.