Bylykbashi denoncon pazarin që Rama i ofron PD: Zgjasim afatin e vettingut, të të shtoj bashki në hartë

Reforma në drejtësi në këmbim të asaj territoriale. Është kjo oferta që i ka bërë në tavolinë Partisë Demokratike kryeministri Edi Rama, të paktën sipas denoncimit publik të bërë nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili përmes rrjeteve sociale thekson se kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës.

“Më zgjat afatin e anëtarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki ne hartë.”

Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës," shkruan Bylykbashi.

Në reagimin e tij, Bylykbashi thekson se reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor.

“Sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë. Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive," vazhdon Bylykbashi.

Deputeti demokrat shprehet se opozita me mos hyrjen në zgjedhjet vendore e humbi e shansin e saj për të rikuperuar mos-pjesëmarrjen në reformën territoriale.

“Duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. Më pas mund të ndreqim dështimet e “suksesshme” të reformës në drejtësi. Prandaj 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës janë e vetmja garanci për opozitën," shkruan Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi thekson se Pazaret që ofron PS nuk kanë asgjë në interes të Opozitës.

“Nuk mund të qahemi nesër sërish, sepse kur vret veten, nuk ka kush të merr hakun”, përfundon reagimin e tij deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi./OraNews/