U vra në krye të detyrës, trupa policore shqiptaro-amerikane i jep 15 mijë dollarë familjes së efektivit Saimir Hoxha

Trupa policore shqiptaro-amerikane ka zgjedhur që  t’i vijë  në  ndihmë  familjes së  në nkomisarit të  Lezhës, Saimir Hoxhës, i cili u vra në krye të detyrës më 28 Shtator nga 21-vjeçri Aldi Rama.

Ata kanë  zgjedhur që  t’i dhurojnë 15 mijë dollarë, si kontribut në shenjë solidariteti, vlerësimi e respekti për sakrificën sublime të Saimir Hoxhës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka falënderuar përfaqësuesit e shoqatës së punonjësve të Policisë, për ndjenjën e solidariteit, si dhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, për mbështetjen e treguar nga ana e tyre.

Gledis Nano: Nuk do doja kurrë as si Drejtor i Përgjithshëm dhe as si punonjës policie që të merrja pjesë në ceremoni të tilla. Me Saimirin kam punuar dhe kam dhe një ndjesi më tepër. Dëshiroj që Policia e Shtetit të mos ketë më humbje jete në radhët e saj për shkak të detyrës. Zonja Lisjana Hoxha, dera e familjes së madhe të Policisë së Shtetit për ju dhe fëmijët tuaj do jetë përherë e hapur, ju nuk do jeni asnjëherë vetëm. Falënderoj shoqatën për solidaritetin, duke na treguar se nuk jemi vetëm. Gjesti juaj të shërbejë si sinjal për të respektuar e mbështetur më shumë punonjësit e Policisë, kudo ku janë, pasi kemi një mision e një qëllim dhe një armik të përbashkët, krimin. Prania e përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane tregon për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë ligjzbatuese i japin Policisë së Shtetit.

Erald Krisafi, në emër edhe të kryetarit të shoqatës Amerikano-Shqiptare Elton Shametaj, u shpreh:

“Kur kolegët dhe vëllezërit tanë në blu në Shqipëri janë mirë, dhe ne jemi mirë, kur kolegët dhe vëllezërit tanë në blu lëndohen, dhe ne lëndohemi. Për këtë arsye shoqata Amerikano-Shqiptare e punonjësve të Policisë ndan të njëjtën dhimbje me koleget e Policisë shqiptare, për humbjen e mikut, vëllait në blu dhe kolegut tonë nënkomisar Saimir Hoxha. Shoqata Amerikano-Shqiptare e punonjësve të Policisë gjen rastin të shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut tonë Saimir Hoxha. Gjithashtu, nderimet dhe përuljen tonë shumë të ndjerë për çdo hero të Policisë shqiptare që është përjetësuar në yll në Memorialin e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

 Duke qenë prezent dhe duke ndarë të njëjtën dhimbje me familjen e Saimirit, në emër të shoqatës Amerikano-Shqiptare të punonjësve të Policisë, i dhurojmë një shumë simbolike prej 15000 USD, familjes së kolegut tonë. Jemi të qartë që kjo shumë nuk e zëvendëson Saimirin, por le të shërbejë si shënjë kujtese, respekti dhe mirënjohjeje për familjen e tij. Zoti e bekoftë familjen e vëllait tonë në blu Saimirit, Zoti i bekoftë punonjësit e Policisë shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët”!

U vra në  krye të detyrës, trupa policore shqiptaro-amerikane i

Ndërkohë ditë më parë, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një ndihme prej 50 milionë lekësh për familjen e efektivit të vrarë, e ndërsa përveç ndihmës financiare nga shteti, dy fëmijët e mitur që la pas efektivi, do të marrin edhe 170% të pagës së babait të tyre deri kur të mbushin moshën madhore.

44 vjeçari, babai i dy fëmijëve të vegjël mbeti i vrarë gjatë një aksioni antikanabis në Kune Vain të Lezhës paraditen e 28 shtatorit. 21 vjeçari u gjet i vetëplagosur në një argjinaturë në Vain të Lezhës, ndërsa humbi jetën disa orë më vonë te spitali i Traumës në Tiranë.