Kriza energjetike, sytë nga qielli/ Në kaskadën e Drinit ku prodhohet 90 % e energjisë prurjet janë minimale
Kriza energjitike ka prekur zyrtarisht edhe Shqipërinë ashtu si një pjesë të madhe të vendeve të globit.
Autoritete shqiptare kanë pranuar zyrtarisht situatën e rëndë të krijuar nga thatësira e tejzgjatur dhe ulja e prurjeve në hidrocentralet e kaskadës së Drinit të cilët janë dhe prodhuesit kryesorë që përmbushin një pjesë të madhe të nevojave për energji në vendin tonë.
Në hidrocentralin e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës prurjet variojnë nga 40 deri në 10 metër kub në sekondë. Po ashtu edhe prodhimi i energjisë nuk po kryhet me të gjitha agregatet, kjo ndikuar nga ulja e nivelit në të tre këto hidrocentrale.
Fierza ndodhet në kuotën 270.05 metra, rreth 3 metra nën mesataren historike dhe 26 metra larg pikës maksimale.
HEC-I FIERZË
Niveli 270.05 m
Niveli max 296 m
Prurjet 40 m3/s
Komani është në nivelin e 170.75 metra nga 175 që ka maksimalen dhe Vau i Dejës ndodhet në kuotën 73.22 metra nga 76 metra që mban.
HEC-I KOMAN
Niveli 170.75 m
Niveli max 175 m
Prurjet 35 m3/s
HEC-I VAU I DEJËS
Niveli 73.22 m
Niveli max 76 m
Prurjet 10 m3/s
Prurjet po ndikojnë në prodhimin e energjisë.
Tre hecet mbi Drin që prodhojnë rreth 90 % të energjisë elektrike në Shqipëri, këto ditë sipas të dhënave po emetojnë në rrjet 6000 megavat orë.
Specialistët e KESH të kontaktuar nga Ora News thonë se nivelet dhe prodhimi janë brenda parashikimeve të periudhës që ndodhemi.
Mbajtja në të tilla nivele diktohet sipas tyre nga rregullorja e plotave.
Megjithatë menaxhimi i situatës do të varet edhe nga kushtet atmosferike pasi rinisja e reshjeve shihet me optimizëm për të përmirësuar gjendjen në këto 3 hidrocentrale.
Deri atëherë edhe politikat e qeverisë shqiptare do të jenë të orientuara drejt menaxhimit të rezervave ujore të kaskadës, por dhe ndërhyrjeve në tregun e huaj për të blerë energji elektrike ndonëse kjo e fundit do të kushtojë më shtrenjtë./OraNews/
