Për herë të parë, 5 studentë nga Kosova në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë pret këtë vit për herë të parë, pesë studentë nga Kosova.

Dy shtetet po e thellojnë bashkëpunimin në disa nivele për zhvillimin e karrierës së ushtarakëve të tyre.

Zëvendës dekania e Akademisë, Etleva Smaçi, thotë se kjo është një mënyrë për ta lehtësuar rrugën e integrimit e Kosovës në NATO, që vendi e aspiron.

“Ata patjetër duhet të marrin jo vetëm elementet e duhura sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, por në të njëjtën kohë të njohin më nga afër të gjithë terrenin apo mjedisin e sigurisë, duke pasur në këto kurse shumë përfaqësues nga NATO apo nga vendet anëtare të Partneritetit për Paqe. Pra si të thuash, është një mënyrë për tu integruar drejt NATO-s," tha Smaçi.

Nga viti 2020, në Akademinë e Forcave të Armatosura kanë rifilluar studimet bachelor në Shkencat Ushtarake.

Të gjithë oficerët e rinj që janë pranuar i kanë të mbuluara nga shtetit kostot e shkollimit, edhe studentët nga Kosova.

“Ka të siguruar fjetjen, ushqimin, uniformën. Bile, në momentin e parë që ai titullohet oficer, në të njëjtën merr edhe një pagesë që është një pagesë mujore. Pra, kosto e studimeve është zero... Padyshim kjo vlen edhe për studentët që vijnë nga Kosova," tha Smaçi.

Kandidatëve që synojnë të bëhen oficerë u kërkohen disa kritere, dhe mosha nën 22 vjeç është një prej tyre.

“Ka kritere të karakterit fizik, që ka të bëjë me gjatësinë, me peshën. Padyshim ka kritere të notës mesatare, të gjithë studentët kalojnë përmes procesit të maturës shtetërore, qoftë ata të Shqipërisë, qoftë ata të Kosovës, qoftë ata në Shqipëri. Ata u nënshtrohen disa kualifikimeve, vijnë bëjnë një test të karakterit fizik, nëse mund të kualifikohen në këtë test, kalojnë pastaj në testin intelektual dhe në fund ka dhe një intervistë e cila më tepër ka të bëjë me njohjen e studentëve që ne do të rekrutojmë," shtoi Smaçi.

Zvëvendës dekania Smaçi vlerëson se ndarja e kurseve ushtarake me studentë nga Kosova dhe Shqipëria do të sjellë një frymë dhe urë të re bashkëpunimi, e cila mori jetën që vitin e kaluar nga paktet mes dy Ministrive të Mbrojtjes./OraNews/