Qeveria i jep 200 mln euro OSHEE-së: Rama prezanton planin me tri pika për përballimin e krizës energjitike
Çmimi i energjisë elektrike nuk do rritet për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
Garancinë e dha Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të planit të qeverisë për menaxhimin e kësaj krize të re, duke mos dhënë detaje se çfarë do të ndodh me kategoritë e tjera.
Po ashtu, OSSHE-së do t’i akordohen plot 200 milionë euro si “garanci sovrane” për të siguruar pagesat e importeve të energjisë elektrike
Edi Rama tha se një gjë e tillë do të bëhet për të siguruar që çmimi të mos rritet për familjarët dhe biznesin e vogël si dhe për pagesat e importeve të energjisë elektrike.
Ndërkohë Rama i siguroi qytetarët se nuk do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike gjatë kësaj kohe.
“Plani ynë i kundërveprimit ndaj krizës energjitike ka tre pika:
1.Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara.
2. Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara.
3.Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.”
Kryeministri iu përgjigj akuzave për rritjen e çmimit të energjisë duke thënë se nuk ka pasur ndryshim që prej vitit 2015 dhe se çmimi që paguajnë sot konsumatorët është nën koston e prodhimit.
“Çmimi ynë i energjisë elektrike në faturën që na vjen nuk është çmimi real i energjisë që blejmë, por është një çmim i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit dhe e dyta qeveria ka vendosur një mburojë më vetë për familjet në nevojë dhe për pensionistë”
Rama sqaroi se Shqipëria nuk e prodhon gjithë energjinë që i duhet.
‘Ne e shesim lirë, kur rajoni përreth nesh nuk ka asnjë nevojë alarmante për energji.Që të mos e hedhim ujin në lumë apo që të mos përmbysim fushat e mbjelluara duke e mbajtur kapicë. Ndërsa nga ana tjetër e blejmë shtrenjtë sepse dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirën.”
Kreu i qeverisë pranoi se çmimi i karburanteve është më i larti në rajon por dha këtë argument.
“Sa herë duhet ta përsërisim se në çmimin e naftës është dhe taksa e qarkullimit që në rajon e paguajnë veçmas siç është brenda dhe një taksë karboni”
Kryeministri tha se rritja e shpejtë e pagave dhe pensioneve do të zhyste vendin në krizë të thellë ekonomike teksa risolli në vëmendje situatën e vitit të mbrapshtë 1997.
