"Jam sëmurë" Ish kryeprokurori Llalla kërkon shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për arrestimin e tij

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon në gjykatë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për dënimin me 2 vjet burg. Kërkesa është dorëzuar në sekretarinë e gjykatës në datën 6 tetor 2021 nga avokati i tij.

Llalla i cili dy ditë më parë është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, kërkon shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për arsye shëndetësore, sipas nenit 476/c të Kodit të Procedurës Penale

Ky nen i referuar nga Llalla, parashikon shtyrjen e vendimit penal kur vuajtja e tij mund të ketë pasoja të rënda për të dënuarin, duke iu referuar gjendjes shëndetësore të Adriatik Llallës i cili sipas avokatit të tij ndodhet në spital. Kërkesa e paraqitur nga avokati i ish-kryeprokurorit Llalla po shqyrtohet nga gjyqtari i gjykatës së posaçme Erjon Çela i cili pritet të shpallë edhe vendimin. 

Më 22 shtator 2021 Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi dënimin e ish kryeprokurorit me dy vjet burg për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.