Shitën ilaçe kontrabandë gjatë pandemisë, arrestohet dërguesja e 4 administratorë farmaceutikë
Gjashtë persona mes të cilëve edhe administratorët e dy firmave farmaceutike u arrestuan nga Prokuroria e Tiranës dhe Antikrimi Ekonomik me akuzën e shitjes së ilaçeve kontrabandë gjatë periudhës së pandemmisë.
Policia ka njoftuar finalizimin e aksionit të koduar me emrin përfitimi, pas një hetimi 10-mujor
Në pranga kanë rënë shtetasit Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i farmacisë Bitri; Florian Marku, 39 vjeç, administrator i farmacisë Flori Farm, Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja Margarita Xhaxhiu në dërgimin e ilaçeve kontrabandë, Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie dhe Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i depos farmaceutike Elba SHPK.
Policia e shtetit bëri të ditur se arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë.
Personat e arrestuar janë dërguar në paraburgim ndërkohë që Prokuroria po kryen ndaj tyre veprimet për akuzat “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”.
Hetimet për këtë çështje mësohet se kanë nisur në janar 2021 në kulmin e pandemisë, pas denoncimeve dhe informacioneve për futjen kontrabandë në vend të medikamenteve që shiteshin informalisht në vend kundrejt çmimeve tepër të larta për trajtimin e komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19.
