Emërohen anëtarët e rinj të KLGJ-së, Kurushi, Hado dhe Plaku morën më shumë vota
Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve ka zgjedhur tre anëtarët e rinj të këshillit të lartë gjyqësor. Togat e zeza vendosën me shumicë votash që Klodian Kurushi nga gjykata e lartë Ridvan Hado nga apelet dhe Irena Plaku nga gjykatat e shkallës së pare të zëvendësojnë tre anëtarët e deritanishëm të KLGj-së të cilëve u mbaron mandati. Ndërkaq prokurorët kanë thirrur më 15 Tetor mbledhjen për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të KLP.
Klodian Kurushi, Ridvan Hado dhe Irena Plaku do jenë tre anëtarët e rinj të këshillit të lartë gjyqësor, të cilët do të zëvendësojnë tre kolegët nga radhët e gjyqësorit, të cilëve u përfundon mandati në muajin dhjetor.
Mbledhja e gjyqtarëve u thirr nga nënkryetari i gjykatës së lartë Sokol Sadushi
“Këshilli i Lartë Gjyqësor, u strukturua me objektivin e forcimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor nëpërmjet shkëputjes nga ndikimi i drejtpërdrejt i institucioneve të tjera dhe në veçanti të shmangies së ndikimit nga politika. Duhet të vlerësojmë se sa e rëndësishme është kompetenca që Kushtetuta i ka besuar të gjithë gjyqtarëve të Republikës”.
Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami tha se në 3 vite në Gjyqësor u vendosën standarde të reja.
"Tre vjet ishte koha e mjaftueshme për të gjithë ne për të vendosur se në cilën anë jemi. Për të reflektuar mbi të gjithë problemet dhe sfidat me të cilën sistemi është përballur dhe për të cilat ne nuk mund të vazhdojmë të jemi pjesë e problemit por pjesë e zgjidhjes."
Për tri vende nga radhët e gjyqësorit konkurruan gjashtë gjyqtarë nga dy për çdo vend,ndërkohë që të pranishëm për të votuar kolegët ishin vetëm gjysma e gjyqtarëve që duhet të ishin pra 220 nga 408 pasi shumica e tyre është larguar nga Vettingu. Ndërkohë prokurorët do të mblidhen në 15 tetor për të zgjedhur tre përfaqësuesit e këtij institucioni në këshillin e lartë të prokurorisë./ Ora News/
