Berisha: Kjo foltore shpresë, të bashkohemi kundër këtij regjimi të vendosur në Shqipëri

SHBA dërgoi të premten në Kongresin Amerikan listën e saj me personat e shpallur "non grata", përfshirë dhe emrin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij.

Ndërkaq, lideri historik i Partisë Demokratike vijoi turi e tij anti-Basha në Elbasan.

Berisha deklaroi se Basha injoroi batërdinë zgjedhore dhe u mor me zgjedhjen e tij.

"Edi Rama orkestron asgjësimin e pluralizmit në Shqipëri. Pengu i tij deklaron se vendimin tim për Sali Berishën e mora vetë në një kohë kur nuk mund ta merrte kurrë vetë, në një kohë kur statuti i partisë ja kishte dhënë këtë atribut forumeve të partisë. Jemi para një misioni të ri, ky mision është shpëtimi i pluralizmit. Nuk ekziston pluralizëm në Shqipëri në rast se ne nuk ngrihemi fuqishëm fillimisht si parti opozitare dhe pastaj të hedhim mënjanë këtë regjim," tha Berisha.

Berisha analizoi punën e qeverisë duke deklaruar se Shqipëria është kthyer në tokë të pashpresë, ndërsa qytetarët nuk shohin rrugë tjetër veç asaj të largimit nga vendi.

"Edi Rama dhe regjimi i tij ka katandisur Shqipërinë dhe shqiptarët në delen e zezë të Ballkanit dhe Evropës. Nga një tokë e bekuar, ndoshta më e pasur se asnjë tjetër në një vend pashpresë nga i cili të rinjtë ikin, ikin dhe vetëm ikin," shtoi ish-lideri demokrat.

Biznesi, tha Berisha, është në ditë të vështira, ndërkohë që sot qytetarët kanë rroga edhe më të vogla se të Kosovës. Ai shtoi se nga ana tjetër qeveria ka abuzuar me 5 miliardë euro, të cilat kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve pranë pushtetit.

"Ku janë sot shqiptarët pas 8 vitesh? Janë 30% më ulët seç ishin në vitin 2013. Në qoftë se në vitin 2013 ne kishim rrogat më të larta në rajon përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, sot ne kemi rrogat më të ulëta përfshi Kosovën," tha Berisha.

Në kuadër të lëvizjes së tij për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe rikthimin e sovranitetit të saj edhe 'Foltorja' e shtatë e Berishës, ishte entuziaste për nga pjesëmarrja dhe optimizmi i anëtarësisë demokrate.