Kryeministri: Tregu s'pyet, quhesh Edi Rama apo Muhamet Veliu. Do të blesh xhaketë? Kaq kushton. Franca e ka me sustë energjinë

Ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës duket se do të jetë rruga e vetme për ta bërë të pavarur Shqipërinë nga lëvizja në bursë e çmimit të energjisë elektrike.

Por finalizimi i saj minimumi do të dojë katër vite.

Rama: Energjia shitet më lirë sepse shitet kur nevoja në treg është e ulët si rezultat i faktit se nuk e mbajmë dot se ndryshe do të përmbytim dynjanë. Për çfarë arsyeje po e ndërtojmë Skavicën sot? Është rezervuari që balancon dhe që na jep mundësinë që këto prurje që nuk na duhen në atë moment mos ti derdhim por ti mbajmë rezervë, në momentin që të kemi Skavicën do bëjmë një lojë krejt tjetër në treg, do ta diktojmë ne jo pamundësia për ta mbajtur.Skavica, puna për të cilën ka filluar tani dhe do ndërtohet brenda këtij mandati me ndihmën e Zotit, do na japë mundësinë të ruajmë rezerva. Ujë mund të kesh por po nuk pate rezervë ku ta ruash.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë Rama tregoi edhe shtetin në Europë që duket se është më imune ndaj kësaj krize globale.

Rama: Franca është në pozicion tjetër, ka centralet nukleare, nuk ka probleme nga kjo krizë siç kanë të tjerët sepse e ka me sustë, hap centralin, rrit prodhimin dhe nuk e ka problem. Gjermania problemin se ka mbyllur centralet nukleare dhe ka ulur parashikueshmërinë duke u varur më shumë nga gazi që vjen nga Rusia. Këto kanë lidhje me ne se jemi pjesë e të tërës, sakohë dalim në treg jashtë për të blerë energji tregu nuk pyet a quhesh Muhamet Veliu apo Edi Rama. Do të blesh xhaketë, xhaketa kushton kaq.