"Në BE pas 2030-ës", pa datë për negociatat, krerët e Unionit: I mbështetim, por bëni reformat

“Provo përsëri” ngjan se ishte mesazhi që dhanë krerët e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe rrugëtimin e tij drejt Unionit, gjatë samitit të së mërkurës në Slloveni.

Marrëveshja e Selanikut, e vitit 2003, për angazhimin e BE-së për anëtarësim të shpejtë, ngjan shumë e largët.

Sot Kosova s’ka ende liri lëvizjeje në zonën Shengen, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut s’kanë nisur bisedimet me BE-në dhe Serbia vetëm pak ditë më parë kishte ushtrinë në kufi me Kosovën.

Nuk ka një datë nga samiti mes BE-së dhe gjashtëshes ballkano-perëndimore se kur mund të integrohet rajoni në Europë.

Ndërkaq, edhe mekanizmi nëse do të jetë anëtarësim rajonal në bllok, apo vend pas vendi, është i paqartë.

Sllovenët kërkuan që të vendosej një afat kohor, duke përmendur shpeshherë në konferencë edhe 2030-ën si vit, por në deklaratën e përbashkët nuk ka një afat kohor se kur mbyllet procesi. 

Bullgarët edhe një herë kanë kërcënuar Shkupin zyrtar me veto për negociatat, sepse sipas tyre po fshin identitetin bullgar, sipas Sofies.

"Ne insistojmë te dy garanci, duam të shohim një amendim të vogël te Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut që t'i përfshirë bullgarët te pjesa e rëndësishme e popullit. Vendi i bullgarëve duhet të jetë i shprehur qartë me shkrim. Duam edhe rezultate objektive përsa i përket censusit të përfunduar që njerëzit të identifikohen ashtu si ata duan, duam që të njihet trashëgimia jonë kulturore."

Për shkak të Maqedonisë së Veriut kushtëzohet edhe Shqipëria. Por për këtë veto të Bullgarisë, shefja e Komisionit Europian ka thënë se do të gjendet një zgjidhje, duke siguruar vendet se BE-ja është e paplotë pa Ballkanin perëndimor.

Nuk kishte premtime konkrete për zgjerim, por shefat e BE-së premtuan 30 miliard dollarë investime, dhe si në çdo samit përmendën vlerat që na afrojnë më shumë me Europën – Liria e Medias, Demokracia dhe Shteti i së drejtës.

Burime nga samiti bëjnë me dije se ka pasur edhe një takim mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në praninë e kancelares gjermane Merkel dhe kreut të Elizesë Makron.

/OraNews/