Lapaj: Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimeve

Avokati Adriatik Lapaj ai që e lajmëroi i pari në rrjetet sociale një protestë kundër rritjeve të çmimit mbajti një fjalë të shkurtër para Kryeministrisë.

Lapaj i drejtoi disa pyetje të pranishmëve duke thënë se a kanë mundësi që ta përballojnë çmimin e bukës, energjisë elektrike apo karburantit?

Ai shtoi se hallet e të gjithëve mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit dhe gazit.

Lapaj: Kisha vendosur që të mos flisja sot por fjala që po mbajnë qytetarë të ndryshëm sot është sa e sinqertë është kjo protestë. Ky vend ka shumë nevojë që të dëgjojë pa retushim dhe pa buzëkuq, të vërtetën e popullit, ashtu siç perceptohet. Kam disa pyetje; a keni mundësi të paguani energjinë elektrike të rritur? A mund të paguani çmimin e bukës? A keni mundësi të paguani për rritjen e çmimit të karburantit? A keni të ardhura për të jetuar me dinjitet? Vëllezër dhe motra, sot duhet të ishim edhe më shumë. Hallet tona mund të zgjidhen vetëm duke bërë barrikadë, duke i thënë jo rritjes së çmimit dhe gazit. Intelektualët e shesin shpirtin në kurriz të blektorëve, bujqve.