Rritja e çmimeve, të moshuarit: Na ndihmojnë fëmijët, ndryshe s`përballohen

 

Rritja e çmimeve në vend është shtrirë në spektrin e të gjithë artikujve të cilët janë prekur në masën nga 10 deri në 20 lekë. Për qytetarët kjo rritje është e pajustifikuar pasi niveli i pagave dhe pensioneve nuk ka ndryshuar dhe për pasojë, e bën përballimin e jetesës më të vështirë.

“Unë jam pensionist marrë 100 mijë lekë, çfarë të bësh me ato. Kemi punuar gjithë jetën na ka ra bretku, jo për gjëra luksi por as për ushqime nuk dalin. Na ndihmojnë kalamajt.”

Si ky i moshuar janë të gjithë pensionistët që me të ardhurat që marrin nuk e përballojnë dot jetesën e muajit.

“Unë 80 mijë lekë pension marrë, por shyqyr të rrojnë ata që kemi jashtë. Unë marrë 90 mijë lekë, po kam djalin dhe ai më mban."

Muajt e fundit çmimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme nga 10 deri në 50 lekë ndërkohë që matësi më i mirë, duket se janë xhepat e qytetarëve.

“Çmimet kanë shkuar në stratosferë”

Konkretisht nëse 1 kg patate mund ta merrje me 50 lekë sot në treg e gjen me 70 lekë .Sheqeri nga 80 lekë ka shkuar në 90 lekë orizi nga 160 lekë sot blihet me 170 lekë. Vaji nga 180 lekë ka shkuar 230 lekë. Qumështi është rritur me 10 lekë nga 140 ka shkuar në 150 lekë. 15 kokrra vezë të paketuara bliheshin me 280 lekë sot kanë shkuar në 340 lekë.


Çmimet konsiderohen nga qytetarët si të papërballueshme në krahasim me të ardhurat.

“Bravo i qoftë, e ka futur në grackë këtë popull. Me këto paga me çmime. Kush një njëri të marrë 80 mijë lekë dhe të ia çojë kryeministrit në tavolinë, dhe t’i thojë ushqehu. “

Nga ana tjetër rritja e çmimeve pranohet edhe nga tregtarët

“Janë rrit çmimet, njerëzit nuk kanë lekë, është bërë patatja 70 lekë. Ne e marrim shtrejtë dhe e shesim shtrenjtë."

Rritja e çmimeve nuk ka prekur vetëm shportën e përditshme por edhe karburantet të cilat janë shtrenjtuar me 10 deri në 20 lekë vetëm në 10 ditët e fundit.