"Shqipëria ka probleme të theksuara me prokurimet publike", Likmeta: Mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin
Dosja e bujshme "Pandora Papers" e cila zbulon apo nxjerr financat e njerëzve të fuqishëm nga e gjithë bota, po analizohet edhe në Shqipëri nga rrjeti ballkanik për gazetari investigative.
Besar Likmeta, kryeredaktor i BIRN në një lidhje të drejtpërdrejtë me TV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se "parajsat fiskale" është një term i përdorur për juridiksione që nuk ndodhin në vendin e origjinës, por janë kompani që regjistrohen diku larg nga ku kanë aktivitetin për të fshehur origjinën e parave.
Shqipëria gjithmonë është konsideruar një vend me nivele të larta korrupsioni.
I pyetur se çfarë do të dalë nga këto dosje të "Pandora Paper", Likmeta u përgjigj vetëm për të dhënat që kanë dalë për momentin. Sipas tij, në artikull ajo që vihet re është që sistemi i prokurimit publik në Shqipëri ka problematika të theksuara.
Likmeta: "Ajo që mund të them është çfarë ka dalë për momentin. Artikulli që ne kemi botuar tregon që procesi i prokurimit publik në Shqipëri ka problematika të theksuara, jo vetëm ato që kanë raportuar më parë gazetarët, por edhe kur shfaqen kompani konsucelnce dhe është e paqartë se çfarë roli luajnë dhe marrin një pjesë shumë të madhe të parave publike që duhet të kishin shkuar për të siguruar apo për të marrë një shërbim. Kjo është një problematikë e theksuar në Shqipëri. Organet ligjzbatuese nuk e kanë qasur në mënyrën e duhur besoj dhe duhet të ketë më shumë punë hulumtuese të Prokurorisë, jo vetëm të gazetarëve."
Likmeta u shpreh se organet ligjzbatuese nuk e kanë qasur në mënyrën e duhur këtë problematikë që lidhet me prokurimet publike. Sipas tij, mënyra më e mirë e zbulimit të korrupsionit do të ishin metodat speciale të përdorura nga Prokuroria.
Likmeta: "Një nga arsyet është sepse fakti që përdoret "parajsa fiskale" e bën gjurmimin e parave të vështirë, sepse në momentin që paratë transferohen nga një kompani që ka marrë një tender në Shqipëri, nga kompania le të themi që është e regjistruar në një parajsë fiskale e bën shumë të vështirë gjurmimin e parave. Nëse me të vërtetë do kishte korrupsion, mënyra më e mirë e zbulimit do ishin metodat speciale të hetimit që Prokuroria mund t'i kishte përdorur që në vitin 2012."
Më tej Likemeta u shpreh se Shqipëria ka nevojë për masa efikase në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Likmeta: "Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka problematika të mëdha. Është një nevojë në Shqipëri për të pasur masa sa më efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo që shohim ne është se ka një mungesë vullneti politik për të luftuar korrupsionin në nivele të larta."
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
