Rikthehen skafistët e klandestinëve, goditet rrjeti i trafikut të emigrantëve me gomone drejt Italisë
Fluksi i emigrantëve të paligjshëm që kërkojnë të kalojnë tranzit nga Shqipëria drejt vendeve të BE, ka riaktivizuar rrjetet e trafikut ndërkombëtar të klandestinëve me gomone drejt Italisë.
Pesë persona u arrestuan dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Vlorë në kuadër të operacionit "Bristan", që goditi një tentativë trafiku.
Në pranga u vunë Klodian Gjikondaj, 38 vjeç, banues në Vlorë; Mohamed Sherif, 61 vjeç, me shtetësi egjiptiane; Fatjon Belaj, 36 vjeç, banues në Vlorë; Robert Hysa, 44 vjeç, banues në Tiranë; Arjol Lleshi 31 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërsa 28 vjeçari me iniciale K. L, banues në Vlorë është shpallur në kërkim.
Rrjeti u zbulua të shtunën, kur tentuan të trafikojnë me gomone nga “Gjiri i Bristanit drejt Italisë 15 klandestinë egjiptianë kundrejt pagesës.
Hetimet ndërkohë kanë zbuluar edhe skemën e funksionimit të këtij grupi.
Kështu egjiptiani Mohamed Sherif, dyshohet se grumbullonte klandestinët dhe bënte lidhjen me rrjetin e trafikimit.
Robert Hysa dhe Arjol Lleshi, strehonin klandestinët në ambientet e tyre, ndërsa Klodian Gjikondaj, Fatjon Belaj dhe 28 vjeçari në kërkim ishin në rolin e transportuesve të emigrantëve.
Nisja e klandestinëve me gomone drejt Italisë, do të bëhej nga "Gjiri i Bristanit”, një që në vazhdimësi është përdorur edhe për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë.
Operacioni i zhvilluar nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në DPPSH, Delta Force dhe Guardia di Finanza.
Një skemë e ngjashme e trafikimi u godit në edhe në Janar të këtij viti, kur rreth 50 klandestinë mbetën të bllokuar për disa orë në mes të detit në një gomone, duke rrezikuar një tragjedi./OraNews/
