Papa Francesko reagon për abuzimet e priftërinjve në Francë: Shpreh pikëllimin dhe turpin tonë
Papa Françesko ka reaguar këtë të mërkurë për raportin mbi abuzimet e priftërinjve në Francë. Ai shprehu "dhimbje" dhe "turp" për raportin mbi abuzimin seksual të kryer nga priftërinjtë që nga viti 1950.
"Konferenca e Peshkopëve Francezë dhe klerikëve fetarë u njohën raportin e Komisionit të Pavarur për Abuzimin Seksual në Kishë, i ngarkuar me vlerësimin e shtrirjes së fenomenit të abuzimit të kryer ndaj të miturve që nga viti 1950. Fatkeqësisht rezulton një numër i konsiderueshëm," tha Papa.
"Dëshiroj t'u shpreh viktimave trishtimin dhe pikëllimin tim për traumën që kanë pësuar dhe turpin tim, turpin tonë, për dështimin shumë të gjatë të Kishës për t'i vendosur ata në qendër të shqetësimeve të saj," ishte mesazhi i kreut të Vatikanit.
Ai inkurajoi edhe më tej hetimet dhe përballjen me këtë situatë, ndërsa tha se Kisha është një shtëpi e sigurt për të gjithë.
Në raportin e publikuar të martën shkruhej se klerikët katolikë francezë kishin abuzuar me më shumë se 200,000 të mitur gjatë 70 vjetëve të fundit. Udhëheqësi i hetimit e përshkroi rastin si një traumë "mizore".
Komisioni i Pavarur për Abuzimin Seksual në Kishë, i krijuar rreth dy vjet më parë me miratimin e zyrtarëve të kishës franceze, shqyrtoi akuzat e bëra ndër dekada.
Sipas raportit, shumica dërrmuese e viktimave ishin meshkuj. Disa raste u janë përcjellë policisë për hetim të mëtejshëm të zyrtarëve të kishës. Në përgjithësi, raporti vlerëson që numri i abuzuesve të jetë rreth 3,000, ku shumica prej tyre janë priftërinj ose klerikë. Përfundimet e komisionit bazohen në më shumë se 6,000 dëshmi të viktimave dhe dëshmitarëve.
“Pyetja e madhe për ne është: Sa viktima dolën për të thënë të vërtetën? 25 për qind, dhjetë për qind, 5 për qind apo më pak? Jetë të tëra janë shkatërruar," tha përfaqësuesi i viktimave François Devaux gjatë prezantimit të raportit të martën./OraNews/
