“Nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, Rama për rritjen e çmimit të karburanteve: Kini besim se do t’ia dalim

Kryeministri Rama në një deklaratë për mediet foli për rritjen e çmimeve që po pësojnë karburantet që të gjithë botën.

Nisur nga faktorë gjeopolitkë dhe tregtarë, edhe Shqipëria është prekur së fundmi nga kjo krizë.

Kryeministri Rama u shpreh se për Shqipërinë çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.

Rama: "Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë  të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.

Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar."

Kryeministri ju drejtua me një mesazh qytetarëve duke i inkurajuar që të kenë besimin në përballimin e kësaj sfide njësoj si me tërmetin dhe me pandeminë, të cilësuara si dy nga sprova për vendin tonë nga Rama.

Rama: "Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre. Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurt, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme."

Rama u shpreh se manovrat tregtare dhe faktorët gjeopolikitkë nuk janë në dorën tonë, por shprehu besimin e plotë se do të dalim të fituar edhe nga kjo sfidë.

Rama: "Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala, “nga lufta vijmë në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti, e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë.

Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë."/OraNews/